zoom

Aktualitet

Fund hetimeve për Jani Prengën! Rrëmbimi erdhi nga burgu i Ekuadorit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim çështjen e pengmarrjes dhe vrasjes së Jani Prengës, ngjarje e ndodhur në 17 janar të vitit 2020.

SPAK ka ngritur akuza ndaj 7 personave për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa ka kërkuar pushimin e akuzës për 5 të tjerë.

Të akuzuar nga SPAK

Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal;

Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

Pushimi i akuzës është kërkuar për personat nën hetim: Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj. Sipas SPAK, nuk provohet që personat në fjalë të kenë kryer veprat penale përkatëse.

Pse u udhërua dhe si u organizua pengmarrja e Jani Prengës?

Nga hetimet e SPAK rezulton se të pandehurit Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri. Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Ndërkohë, SPAK thotë hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave në kuadër të një hetimi të plotë e të gjithanshëm për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.