Aplikacion
Stafa shkruan se lajkat e neokirurgut për shëndetësinë shqiptare i tejkaluan kufinjtë e servilizimit, aq sa “edhe Rama në disa momente u ndje në siklet”.
“A e njeh mjeku i nderuar siç duhet mjeksinë shqiptare?”, i drejtohet Osman Stafa, i cili ka renditur disa nga problematikat më të theksuara në sistemin shëndetësor publik, ku pacientët me kancer përballen me mungesë të medikamenteve.
“Dinjiteti doktor, dinjiteti….”, thekson gazetari.
Postimi i gazetarit:
Deri më tani asnjë nga pjesët e Podcastit të Ramës, nuk më ka ngacmuar kureshtjen ta ndjek.
Por teksa pashë që bashkëbiseduesi i Ramës ishte mjeku Kita Sallabanda Diaz, i specializuar dhe i formuar jashtë Shqipëri, u bëra kurioz.
Këtë mjek e kam njohur nga daljet e tij në “Opinion”. Nga kureshtja i kam ndjekur edhe disa intervista të tjera. Mendoja se mjeku në fjalë do i thotë disa të vërteta Kryeministrit për shëndetësinë. Mendova kështu për shkak se ai ka bërë një emër në profesionin që ka. Aq më tepër jashtë Shqipërisë. Por ai vendosi që ta “teprojë” me lajkat për shëndetësinë shqiptare. Jo e teproi, por kaloi në kufinjtë e servilizimit, sa edhe Rama në disa momente u ndje në siklet.
A e njeh mjeku i nderuar siç duhet mjeksinë shqiptare?
Nëse ai e njeh dhe vendosi të fliste kështu, është zgjedhje e tij.
Nëse nuk e njeh, po i jap unë një ndihmë modeste.
A e di mjeku i nderuar se pacientët e Onkologjikut kanë vuajtur në mënyrë të frikshme mungesën e medikamenteve? Njësoj si ata, edhe pacientë tek Infektivi, Hematologjia, Onko-Hematologjia Pediatrike, Hemofilia, etj.
A e di se tek Neurologjia, ka pasur gjithashtu mungesa të mediakamenteve?
A e di që pacientë që trajtohen tek Neurologjia nuk bëjnë dot rreze, se pajisja është prishur?
A e di mjeku që 10 ditshin e fundit të çdo muaji pacientëve nuk u bëhen analizat, se mbaron fondi?
Kështu mund të vazhdojë pafund, por shkruajta disa prej më të rëndësishmet, në vlerësimin tim.
Dinjiteti doktor, dinjiteti….