zoom

In Zoom

FSHF – Veliaj, nis zbardhja e ujdisë së zbuluar nga Zoom.al

Ujdia e rënë mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të FSHF Armando Duka, në takimin sekret ë raportuar ekskluzivisht nga Zoom.al, ka nisur të zbatohet (Lexo këtu lajmin mbi takimin).

Asambleja e Federatës Shqiptare të Futbollit u mblodh sot për të pranuar kërkesën e Dukës për shtyrjen e zgjedhjeve që ishin parashikuar sot.

Siç mësoi Zoom.al nga burime të besueshme, shtyrja e zgjedhjeve iu kërkua Dukës nga Rama për t’i dhënë kohë Erion Veliajt për të gjetur një rrugëdalje për disfatën që pësoi me sulmin e ashpër kundër presidentit të FSHF.

Veliaj vuri në lëvizje prokurorinë dhe gjykatën me padi ndaj presidentit të FSHF dhe disa zyrtarëve të tjerë. Ai u përgjua të fliste për përfshirjen e prokurorisë në një takim për zgjedhjet në FSHF.

Nisur nga ky përgjim dhe retorika e Veliajt, UEFA i kërkoi qeverisë shqiptare që politika të qëndronte larg zgjedhjeve në Federatë. Kjo qe edhe pika që shënoi humbjen e Veliajt.

Prej ardhjes së presidentit të UEFA, Aleksandër Ceferin më 3 shkurt në Tiranë, Veliaj i ka ndërprerë sulmet publike ndaj Dukës. Ai dështoi jo vetëm përpara publikut, por edhe atyre që ishte angazhuar se do ta mundte Dukën, përfshirë këtu edhe Edi Ramën që ia kishte besuar këtë detyrë.

Kur Duka i tregoi pushtetin në futboll, Edi Rama hyri sërish në lojë. Kësaj here jo më për ta luftuar, por si njeriu i marrëveshjeve, një prej anëve më të arrira të talentit të tij politik.

Duka e pranoi marrëveshjen dhe sapo Asambleja vendosi shtyrjen, Rama-Veliaj duket se bënë pjesën e tyre të ujdisë. Dy shoqata të futbollit, që siç duket kontrollohen nga pushteti, u tërhoqën nga gjyqi me Dukën.

Nga Gjykata e Tiranës u njoftua se “Albanët” dhe “Akademia Luftëtari” kanë hequr dorë nga padia civile ndaj FSHF.

Tani Duka nuk ka më pengesa për t’u rizgjedhur në krye të FSHF, duke treguar akoma më shumë fuqinë e tij. Sepse kësaj here ai mundi Erion Veliajn, njeriun më të pushtetshëm të mazhorancës, pas Edi Ramës, i cili nga ana e tij kuptoi se “ato të hekurit” nuk i ka të tijat, por ia merr dhe ia jep Rama sipas nevojës. /Zoom.al