zoom

Lajme

Fredi Beleri në delegacion, Rama anulon takimin me grupin e Eurodeputetëve

“Nëse Edi Rama më jep dorën, do t’ia shtrëngoj”. Por Fredi Belerit nuk iu dha kjo mundësi. Ai kishte shpresuar ta shihte në sy përsonin që e akuzon se e burgosi për t’i marrë bashkinë e Himarës, që fitoi në zgjedhjet e vitit të kaluar. Por kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk e priti delegacionin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE, ku Fredi Beleri bën pjesë.

Takimi ishte parashikuar të zhvillohej në orën 10:00 në zyrat e Kuvendit, pasi eurodeputetët të përfundonin takimin me ambasadorin e delegacionit Europian Silvio Gonzato, por Rama e ka anuluar pa bërë publike detajet.

Sipas axhendës, diskutimet do të zgjasnin 45 minuta, gjatë të cilave Fredi Beleri mund të kishte gjetur pak hapësirë sa për t’ia thënë ballë për ballë Ramës pak nga ato që i ka thënë në publik.

Shmangia e një përballje të tillë duket se është edhe arsyeja e anulimit të takimit nga kreu i qeverisë shqiptare. Për motivin, as delegacioni i Bashkimit Europian nuk ka dhënë ende shpjegime.

Arrestimi dhe dënimi i Belerit përkeqësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë, aq sa Athina bllokoi procesin e integrimit, ndërsa kryeministri grek Mitsotakis e futi Belerin në listë të sigurtë për t’u zgjedhur deputet në Parlamentin Europian, teksa ai ishte ende në burg.

Eurodeputetët do të takojnë përfaqësues të grupeve parlamentare, kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe ministrin e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Taulant Ballën, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. /Zoom.al