zoom

Aktualitet

FOTO/ Ky është viktima i atentatit në Dukagjin. Shënjestër dyshohet i biri, shkak kanabisi

Personat që shihni në foton e mësipërmje janë shtetasit Zef Guri, 73 vjeç dhe djali i tij, Gjin Guri 43 vjeç. Ata ranë pre e atentatit me armë zjarri të regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në mal të Shoshit në Dukagjin, ku mbeti viktimë babai dhe i plagosur rëndë i biri.

Dyshohet se shënjestra e atentatit të sotëm ka qenë Gjin Guri, një person me të shkuar kriminale, për shkak të konflikteve për parcelat me kanabis në mal të Shoshit në Dukagjin.

Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma. Mësohet se një grup i uniformave blu janë nisur me helikopter për shkak të terrenit të vështirë malor.

Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për autoritetet pasi është arrestuar më herët për disa vepra penale. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

Në vitin 2015 figuronte në listën e 10 personave të shpallur në kërkim si i dyshuar se ka qëlluar me armë ndaj helikopterit të Policisë, në një aksion anti-kanabis në parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin.

Asokohe, Guri dyshohej si kultivues i kanabisit, dhe për të shmangur kontrollet në parcelat e tij, qëlloi drejt efektivëve. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar nga të shtënat. Guri u arrestua nga policia në banesën e tij në fshatin Shosh të Dukagjinit, pas një operacioni të mirëorganizuar nga forcat e rendit dhe FNSH e Shkodrës. Guri akuzohej për “Prodhim dhe mbajtie pa leje te Armeve luftarake” dhe “Kanosje”.

“Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me grupet e FNSHsë Shkodër, mbi bazën e një plani operacional të mirorganizuar bënë të mundur kapjen në banese te personit të shumëkërkuar në fshatin Shosh, Dukagjin, shtetasin Gjin Guri, 38 vjeç”, njoftonte Policia më 27 shtator 2015.

Ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij në Malin e Shoshit u vendos tritol.

Gjin Guri pasi është liruar nga burgu ka vijuar aktivitetin me lokalin e tij ndërsa bën edhe rrugën Shkodër-Dukagjin dhe anasjelltas me furgon pasagjerësh.