zoom

Aktualitet

Floriana Garo tregon kush ia bëri ftesën për në PD

Zëdhënësja e fushatës së Partisë Demokratike, Floriana Garo ka treguar se kush ia bëri ftesën për t’u futur në PD dhe çfarë e shtyu të angazhohej në politikë.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, ajo tha se ftesën ia ka bërë vetë kryedemokrati Lulzim Basha, ndonëse dëshira e saj për të kontribuuar në PD ka qenë prej kohësh.

“Ftesën ma bëri Lulzim Basha, por unë vetë kam shprehur dëshirën për të kontribuar në PD. Ka qenë një vendim i diskutuar me familjen dhe isha e gatshme të jepja kontributin tim. Misioni do të vijojë, jam kthyer me këtë qëllim. Është e rëndësishme që njeriu të provojë veten, por synimi është për të vijuar.

Tek opozita shoh shpresën e munguar, këto tetë vite duke qenë katër vite larg Shqipërisë, e kam parë me një tjetër sy. E kam parë kur nuk rritej dhe zhvillohej dhe më ka ardhur keq. Është koha për ndryshim dhe tek PD e shoh entuziazmin për të ndryshuar. Kam zgjedhur të jem e djathë prej kohësh, thellë përbrenda jam e tillë, prandaj zgjodha PD”, tha Garo.

Teksa është pyetur se çfarë mendon për kryeministrin Edi Rama, Floriana Gazo tha: “Kryeministri është personi që e qeveris vendin, është personi që tregon këtë imazh, flet me imazh, është njeriu karzimatik që njerëzit thonë, por kaq. Njeriu duhet të mbahet mend për çfarë ka bërë dhe jo për imazhin. Ky është problemi për mua, por edhe arroganca e shprehur prej tij s’më ka pëlqyer. Sheh rrjetet e tij sociale sheh një lloj arrogance në foto, mënyrën se si i flet njerëzve, kështu që nuk jam dakord”.