zoom

Aktualitet

FAKTET/ Si po përdoret policia politikisht në zgjedhje

Ngjarja e rëndë që ndodhi në Elbasan këtë javë vuri në pikëpyetje edhe njëherë efikasitetin e policisë për të luftuar krimin. Por jo vetëm kaq.

Fakti që të paktën 12 policë ishin të pranishëm kur dy grupe u përplasën me armë dhe asnjëri prej tyre nuk qëlloi një plumb të vetëm, as kur nëndrejtorit të tyre iu vu pistoleta në kokë nga Klement Xhaferri, e kompromentoi keq rolin e saj.

Pyetjet që gazetarët i bënë drejtorit të policisë, Ardi Veliu mbi hetimet dhe dyshime që ata hodhën mbi paanshmërinë e policisë, ngritën hije të tjera dyshimi se policia e drejtuar nga Veliu është tejskajmërisht e politizuar.

Të dhënat e dala nga database i publikuar online mbi patronazishtët e PS treguan se efektivë të shumtë të policisë ishin patronazhistë, duke shkelur hapur ligjin për policinë, që e detyron efektivin e policisë të mos merret me veprimtari politike.

Ditët e fundit, me afrimin e datës së zgjedhjeve, veprimet e policisë kanë ngjallur dyshime të mëdha.

Në mes të javës Partia Demokratike publikoi një audio-përgjim të kryetarit të Njësisë Administrative të Vaqarrit, Gentian Myrta, që i kërkonte një qytetari 30 mijë euro për një cështje prone. Ai fliste edhe për drogë e blerje votash.

Por policia nuk reagoi. PD e kallëzoi në SPAK, por sërish asnjë reagim. Sot Gentian Myrta vijon detyrën edhe pse përmbajtja e audio-përgjimit, sipas juristëve të kontaktuar nga zoom.al i plotëson të gjitha kushtet për një vepër të rëndë penale.

Po këtë javë, një televizion pro qeveritar publikoi një përgjim tjetër. Etjon Joka, kandidat i LSI për deputet, ishte filmuar duke diskutuar për blerje votash me një qytetar të infiltruar.

Policia e shpalli menjëherë në kërkim pasi deklaroi se nuk e gjeti në shtëpi.

Në fillim të javës mediat publikuan një audio-përgjim të drejtorit të Kadastrës, Artan Lame, i cili u kërkonte vartësve të vet që t’i gënjenin qytetarët me legalizimet, me qëllim që t’i detyronin të votonin Partinë Socialiste. Lame reagoi duke thënë se regjistrimi ishte i vitit 2017. Juristët me të cilët u konsultua zoom.al, thanë se në cdo rast udhëzimet e Lames ishin në kundërshtim me ligjin dhe përbëjnë vepër penale, së paku atë të “shpërdorimit të detyrës”, edhe sikur të ishte e vërtetë se regjistrimi ishte i 5 vjetëve më parë.

Policia heshti. Lame vijoi detyrën dhe fushatën në Durrës.

Në Dibër, disa grupe qytetarësh të organiuar nga PD kapën drejtorin e Tatimeve me 70 milionë lekë në makinë. U desh ndërhyrja e prokurorit që ai të arrestohej, me policinë që hezitoi të kryente veprimet.

Në Mat, një natë më parë u shoqëruan 5 militantë të PD, për shkak se në fshatin e tyre ndaluan disa makina që s’ishin të zonës nën dyshimin se po shpërndanin para për vota.
Policia nuk e mori në konsideratë denoncimin e tyre, por i shoqëroi ata në komisariat dhe jo të dyshuarit.

Në e Korçë, mbrëmjen e kaluar, rreth mesnatës, strukturat e PD ndaluan tre automjete, në të cilat ndodheshin 7 punonjës të Njësisë Administrative Vreshtas. PD tha se në to u gjet lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie, lista e patronazhistëve dhe një listë e shkruar me dorë me emra banorësh të këtij fshati. Por policia nuk i procedoi.

Ish –kryeministri Sali Berisha publikoi po kështu në fillim të javës një video ku në prani të policisë, militantë të së majtës dhunuan një të ri dhe babain e tij të moshuar për shkak se ishte votues i të djathtës. Asnjëri nga dhunuesit nuk u procedua.

Në dijeni për politizimin e policisë, një fakt që e ka denoncuar disa herë, Partia Demokratike organizoi grupe të posacme për të ndaluar ata që blejnë votat.

Por ajo që po bën policia është lufta ndaj këtyre grupeve dhe jo ndaj atyre që po shpërndajnë para, hapur, ditën dhe natën edhe pse ky përbën një krim të pastër zgjedhor. /Zoom.al