zoom

Blog

Është koha të taksohen miliarderët!

Elon Musk ka dhuntinë e nxitjes së debatit, se si duhet të ndreqim problemet që ka sot bota. Dhe kontributi i tij i fundit në këtë debat, është kërcënimi për ta zhvendosur fabrikëne prodhimit të makinave elektrike, Tesla, nga shteti i Delaware në Teksasin liridashës.

Kjo sepse një gjykatës në Delaware, anuloi marrëveshjen për marrjen prej tij të shumësh prej 55.8 miliardë dollarësh nga kompania që drejton, më e madhja në historinë e korporatave amerikane apo ndoshta edhe në histori. Pyetjet që ngrihen këtë herë janë këto:Sa i pasur duhet të lejohet të jetë dikush? A duhet që vendet të rrisin taksat për miliarderët?

Unë mendoj se po. Pasi kjo do të përmirësonte shoqëritë tona dhe do të ulte taksat për njerëzit e zakonshëm. Sesi mund të bëhet kjo, mund të ndryshojë sipas vendeve dhe sistemeve. Por pikënisja është vendosja e parimit të taksimit të miliarderëve. Çdo diskutim mbi këtë temë, kërkon hedhjen poshtë të argumenteve absurde.

Ata që mbështesin vendosjen e taksave të tilla, thonë se miliarderët janë njerëz të këqij. Disa prej tyre ndoshta janë, ndërsa të tjerët jo. Por kjo s’ka rëndësi. Ne nuk tatojmë karakterin e njerëzve. Po ashtu, duhet të injorojmë kundërshtarët e këtyre taksave që e denoncojnë këtë qasje si një “politikë ziliqare”.

Psikologjia që qëndron pas këtyre propozimeve, është e parëndësishme thotë Ingrid Robeyns në librin e saj të ri “Limitarizmi”. Mos ngurroni që të më cilësoni si një njeri haptazi xheloz ndaj miliarderëve. Por kjo nuk e ndryshon pyetjen:A do të përfitonte shoqëria nga taksimi i tyre?

Numri i miliarderëve vazhdon të rritet, ndërsa ata janë relativisht të nën-taksuar. Revista “Forbes”, identifikoi vitin e kaluar 2.640 miliarderë në mbarë botën, ose 19 herë më shumë që nga viti 1987. Observatori Tatimor i BE-së, thekson se pasuria globale është rritur më shpejt se të ardhurat, dhe pasuria e miliarderëve është rritur më shpejt nga të gjithë të tjerët.

Të ndihmuar nga shmangia e taksave, miliarderët paguajnë norma më të ulëta të tatimit mbi të ardhurat sesa rrogëtarët mesatarë amerikanë dhe francezë, thekson me tej observatori. Dhe taksat mbi pasurinë janë shumë modeste. Prandaj shtetet duhet të tatojnë miliarderët, sepse aty janë paratë.

Kushdo që i shmanget taksës mbi pasurinë, siç janë norvegjezët e pasur, që kohët e fundit janë shpërngulur në Zvicër, mund të ngarkohet me një taksë të re “të nxjerrjes së kapitalit”.

Shumë njerëz me të ardhura të larta – bankierë, avokatë, pronarë të bizneseve të vogla – kundërshtojnë taksat ndaj miliarderëve, nga frika e një efekti domino:”Në fillim u morën me për Elon pastaj . .. “.

Në fakt, këta njerëz mund të përfitojnë nga taksimi i miliarderëve, pasi aktualisht mbajnë

mbi supe një pjesë të madhe të barrës tatimore. Ekonomisti i njohur francez, Thomas Piketty, propozon norma tatimore prej 90 për qind për ata me pasuri më shumë se 2 miliardë euro.

Ai vë në dukje se SHBA-ja, e tatonte shumicën e të ardhurave të njerëzve shumë të pasur

rreth këtyre normave nga viti 1950 dhe deri në vitin 1980, një epokë e një rritjeje ekonomike mbresëlënëse. Piketty shton se taksimi i miliarderëve, do t’i jepte mundësi qeverive të ulin taksat e pronës, të cilat në fakt janë taksa mbi pasurinë e njerëzve të zakonshëm.

Po ashtu, qeveritë mund t’i përdorin të ardhurat për të krijuar fondacione në ndihmë të njerëzve në gjysmën e poshtme të shoqërisë, të cilët zakonisht nuk zotërojnë thuajse asnjë pasuri. Është e vërtetë, qeveritë nuk do të shpenzonin me një efikasitet të përsosur për të përmirësuar mirëqenien e të gjithëve.

Por as Musk. Edhe nëse pasuria e tij reduktohet në vetëm 2 miliardë dollarë ose më shumë, kjo nuk do të ishte ndëshkuese. Ky nuk është një revolucion bolshevik. Edhe ajo pasuri do të mjaftonte për të frymëzuar novatorët e ardhshëm. Madje taksimi mund t’u bëjë një favor pasardhësve të Musk.

Trashëgimtarët e pasur që kam takuar, vuajnë nga mungesa e synimeve në jetë, pakujdesia, orët e pafundme të shpenzuara për shmangien e taksave, grindjet dhe përçarjet e forta familjare se kush merr çfarë, ankthi (shpeshherë i justifikuar) se të gjithë duan t’i heqin qafe dhe frika nga hapësirat publike.

Unë dyshoj se dëshira e Musk për të marrë 55.8 miliardë dollarët, buron nga fiksimi pas numrit të pasurisë, që aktualisht vlerësohet në rreth 200 miliardë dollarë. Një miku im evropian i pasur edhe ai, me thotë se ky obsesion është më i fortë midis amerikanëve të pasur. Shifra e parave që kanë shndërrohet në identitetin e tyre, ndërsa evropianët e pasur e marrin identitetin e tyre më shumë nga kategoritë klasike si prejardhja familjare, shkollimi apo shijet kulturore. Shumë miliarderë amerikanë, e mbështesin rikthimin e Donald Trump në krye të vendit, pasi uljet e taksave që premton ai do të ruanin “shifrat” e pasurisë së tyre.

Por ata harrojnë gjënë kryesore:Përbuzja e Trump për zgjedhjet dhe sundimin e ligjit, e kërcënon stabilitetin shoqëror, që është thelbësor për ruajtjen e pasurisë. Kohët e fundit taksimi i miliarderëve është bërë më i realizueshëm.

Që nga viti 2017, një shkëmbim automatik dhe shumëpalësh i informacionit bankar, i përdorur tani nga më shumë se 100 vende, e bën më të vështirë fshehjen e parave. Dhe taksimi i kaq pak njerëzve, është i thjeshtë nga pikëpamja administrative.

Observatori i Taksave në BE, vlerëson se një taksë mbi pasurinë prej 2 për qind në mbarë unionin do të rriste me 42 miliardë dollarë në vit të ardhurat e marra nga 499 miliarderët e bllokut. Një taksë më ambicioze, do të shtrihej tek miliarderët e vendeve fqinje.

Një taksë mbi pasurinë në SHBA, mund të konsiderohet antikushtetuese, por ndoshta qeveria mund të rregullojë tatimet mbi të ardhurat e njerëzve në varësi të pasurisë së tyre. Ose SHBA-ja mund të rrisë taksat mbi pasuritë, të tatojë fitimet e mëdha, dhe të mbyllë boshllëqet fiskale të krijuara enkas për njerëzit e pasur. Dhe kjo është e realizueshme. Shtetet nuk e kanë bërë këtë, pjesërisht sepse miliarderët kanë kapur shumë nga sistemet politike. Kjo është një arsye tjetër për të reduktuar paksa pasurinë e tyre.