zoom

Aktualitet

Erdhën nga Spitali Ushtarak, ja itinerari që ndoqën autorët e atentatit të sotëm në “Don Bosco”

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen e Erion Çelës dhe plagosjen e 4 personave të tjerë në zonën e “Don Boskos” në Tiranë.

Makina e autorëve dyshohet se ka ardhur nga zona e Spitalit të Traumës në drejtim të lokalit ku ishin ulur pesë personat. Autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt personave, të cilët kishin edhe lidhje të afërta familjare mes tyre.

Viktimë nga kjo ngjarje e rëndë mbeti Erion Çela 35 vjeç ndërsa janë plagosur Arben Dani 46 vjeç, Azbi Selimaj 19 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç (vëllai i viktimës) dhe Edmond Crroj 41 vjeç (daja i viktimës).

Pas krimit, autorët janë larguar po nga drejtimi që kanë ardhur e më pas kanë humbur gjurmët mes lagjeve të Laprakës.

Pista që po dyshon policia është ajo e trafikimit të lëndëve narkotike, pasi 41-vjeçari Edmond Crroj, i identifikuar si daja i viktimës dhe njërit prej të plagosurve kishte precedent të theksuar kriminal në shtetin italian.

Rrethimi i zonës, ka sjellë problematika për autoambulancat që kërkojnë të futen për në Spitalin e Traumës, ndërkohë, autorët sipas raportimeve janë kujdesur që të mos lënë thuajse aspak gjurmë në vendngjarje dhe kjo rrit më tepër dyshimet e policisë që ngjarja mund të jetë kryer nga persona profesionistë.