zoom

Bota

Epoka Merkel drejt fundit, pas 16 vitesh Gjermania me kancelar tjetër

Kur i kanë mbetur pak ditë në krye të kancelarisë, gjermanët shprehen se po e ndiejnë mungesën e saj që tani.

Tre javë para zgjedhjeve të përgjithshme gjermanët kujtojnë me nostalgji epokën Merkel, duke lavdëruar qetësinë dhe ndikimin e saj stabilizues.

Pas 26 shtatorit ata do të kenë një kancelar të ri.

“Nuk mbaj mend të ketë pasur një tjetër kancelar, ka qenë gjithmonë Angie, do të jetë e çuditshme kur duhet të zgjedhim dikë tjetër,” – thotë Jill, një 22-vjeçare nga Duesseldorf.

“Unë jam e re dhe që kur kam ndjekur politikën, ka qenë Angela Merkel në krye. Kam pak frikë për atë që do të vijë dhe do të më duhet të pres dhe të shoh çfarë ndodh. Deri tani gjithçka ka shkuar mirë, dhe ajo që po vjen tani është kaq e panjohur dhe kjo më bën  nervoze,” – u shpreh Eillen, gjithashtu nga Duesseldorfi.

“Në sytë e mi ajo është e besueshme dhe me të vërtetë gjëja kryesore është qetësia e saj. Për mua” qetësia “është mënyra më e mirë për të përshkruar epokën e Merkel,” – tha Max, një tjetër i ri gjerman.

“Ne jemi brezi që  njeh vetëm Merkelin, kështu që ne nuk e dimë se si ishte më parë. Por kemi ndjerë si stabilitet,  ‘stabiliteti’ është me të vërtetë gjëja e parë që më vjen në mendje kur mendoj për Merkel,” – shtoi Maxim.

Merkel, ka qene e pranishme në skenën evropiane që nga marrja e detyrës në vitin 2005, kur George W. Bush ishte president i SHBA, Jacques Chirac në Pallatin Elysee në Paris dhe Tony Blair kryeministër britanik.

E diplomuar për kimi kuantike, Merkel ka miratuar një qasje pragmatike të zgjidhjes së problemeve ndaj qeverisë, duke udhëhequr Gjermaninë dhe Evropën nga kriza e eurozonës, tek kriza emigrantëve të vitit 2015 dhe pandemia COVID-19.

“Ajo është e qartë, inteligjente dhe më mungon që tani” shprehet një tjetër qytetare për Merkelin, të cilës ndryshe i drejtohen edhe “Nëna”.

Vajza e një pastori protestant, Merkel u rrit në Gjermaninë Lindore para se të merrte drejtimin e një partie kryesisht mashkullore, katolike, Unioni Demokristian (CDU).

Por ka edhe skeptikë ndaj figurë së saj. Disa të rinj shprehen se përkundër katër fitoreve në zgjedhjet kombëtare, Merkel nuk ka bërë mjaftueshëm për ndryshimet klimatike, për të përmirësuar arsimin ose për të zhvendosur Gjermaninë në epokën digjitale. /Euronews