zoom

Politikë

Emigrantët/ Ministri italian vjen në Shqipëri, takohet me Ramën. Vizitë edhe në Shëngjin

Teksa Gjykata Kushtetuese në vendin tonë ka pezulluar marrëveshjen Shqipëri-Itali për të mikpritur emigrantët e huaj në Lezhë, ministri italian, Antonio Fajani vjen sot në Shqipëri për të diskutuar pikërisht për këtë çështje.

Ai do të ketë një takim me kryeministrin Edi Rama, me të cilin pritet të diskutojë për paktin e nënshkruar në Romë më 6 nëntor mes tij dhe kryeministres Giorgia Meloni, për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve

Fajani pritet të vizitojë edhe Shëngjinin, i cili sipas marrëveshjes, do të shërbejë si port zbarkimi për emigrantët.

Ndërsa në Gjadër do të ndërtohet kampi i qëndrimit për ta, me një kapacitet maksimal prej 3 mijë personash.

Gjykata Kushtetuese në 13 dhjetor mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët afrikanë duke sjellë automatikisht pezullimin e saj deri në një vendim përfundimtar të dhënë nga gjykata.

Seanca e parë, pritet të mbahet në 18 janar, 2024 ku palët do të paraqesin pretendimet e tyre dhe më pas brenda 3 muajve, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim mbi marrëveshjen.

Kryemistrja italiane, Giorgia Meloni u shpreh se e respektonte vendimin e gjykatës dhe se do të priste deri në një vendim përfundimtar.