Aplikacion
Pjesë e dosjes hetimore të policisë është dëshmia e një shtetasi jordanez, i cili ka qëlluar pranë vendit të ngjarjes në momentin që atentatorët u afruan te banesa për të vrarë Gentjan Bejtjen.
Sipas tij, në atë moment në rrugë ka parë dy motorë të dyshimtë dhe më pas dy mjete të ndaluara, një prej të cilëve nuk kishte targa.
“Sapo kalova kryqëzimin e rrugës dytësore, në rrugën që të nxjerr te karburant ‘K….’, përpara automjetit tim unë pashë dy motorë katër rrotësh, një automjet ‘Golf’ të zi, model 5 ose 6 tip i ri, pa targa në pjesën e pasme si dhe një automjet tjetër me ngjyrë gri, që targën nuk ia fiksova dot.
Ajo që konstatova më tej është se në afërsi të këtyre automjeteve dhe motorëve ndodheshin tre persona që qëndronin në këmbë. Ndërsa dy të tjerë, shoferi dhe pasagjeri i përparmë, ndodheshin në mjetin tip ‘Golf’ të zi. Ajo që munda të dalloj me tej është se të tre personat që qëndronin në këmbë në rrugë pranë motorëve, kishin kapuçin e xhupave në kokë, dhe nuk i kanë hequr për asnjë moment. Dhe ata po qëndronin pothuaj ngjitur me mjetin tip ‘Golf’ dhe po flisnin me njëri tjetrin”,
Në këtë situatë unë u ndjeva i frikësuar, dhe vendosa t’i kaloj anash mjeteve të dyshimta që kishin ndalur në rrugë. Por vetëm pasi lëviza rreth 100 metra, para se të dilja në rrugën kryesore, unë vura re pas meje mjetin tip ‘Golf’ të Zi, që po ma bënte me drita. Dhe që po kërkonte t’i hapja rrugën dhe të kaloja përpara. Kjo ishte hera e fundit që e pashë mjetin ‘Golf’ të zi. Ndërsa më parakaloi, ky mjet shtoi shpejtësinë deri në kryqëzimin e aksit kryesor rrugor Fushë Krujë-Laç dhe më pas u kthye djathtas në drejtim të Fushë-Krujës”, është dëshmia e jordanezit, pjesë e dosjes hetimore të zbardhur nga emisioni “Në shënjestër”.
Gentian Bejtja, ish-polic dhe eksponent i njohur i botës së krimit, u ekzekutua në atentatin e katërt ndaj tik pasditen e 15 marsit në banesën e tij.
Ndaj tij u derdh breshëri plumbash kallashnikovi.
Bejtja ishte në kërkim për t’u marrë në pyetje lidhur me atentatin që u bë ndaj tij më korrik 2023.