zoom

Aktualitet

Ekskluzive/ Vrasja në Elbasan, Klement Xhaferri i vuri pistoletën në kokë shefit të rendit

Dinamika e përplasjes me armë që la 1 të vrarë dhe 4 të plagosur mesditën e të mërkurës në Elbasan nuk është zbardhur ende.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u pyet në konferencën për shtyp se cili qëlloi i pari nga palët. Ai tha se priste hetimet, por përplasja e armatosur në lagjen 5 Maji ka ndodhur në sy të policisë dhe mbi 10 efektivë panë se si ndodhi ngjarja, pasi ishin prezent përpara përplasjes së armatosur.

Por Zoom.al mëson një tjetër fakt të rëndë.

Klement Xhaferri, i dyshuar si anëtar i grupit të Suel Çelës, ia ka vënë fillimisht pistoletën në kokë nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit për Rendin, Nikollaq Palla (personi me uniformë dhe me rreth të kuq në foto).

Edhe pse kanë parë këtë veprim të rëndë, asnjëri nga policët nuk ka reaguar.

Më pas, Xhaferri ka nisur të qëllojë ndaj anëtarëve të shtabit të Partisë Demokratike që kishin ndaluar një makinë, pasi dyshonin se aty ishin karta identiteti dhe para që do të përdoreshin për të blerë votat.

Dyshohet se plumbat e tij plagosën Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe punonjësja e policisë e forcës së posaçme “Shqiponjat”, Xh. S.

Ndërsa ish –efektivi i RENA-s, Arbër Papleka, ka reaguar duke qëlluar në drejtim të tij, por plumbat kanë kapur Pjerin Xhuvanin, i cili mbeti i vdekur.

Edhe policia tha se është qëlluar nga dy armë të vetme. Por konferenca për shtyp e Veliut la shumë pyetje pa përgjigje, sikur fshehu edhe faktin e rëndë që Klement Xhaferri i vuri pistoletën në kokë numrit 2 të policisë së Elbasanit. /Zoom.al