Aplikacion
10 ditë pas zhdukjes së Sabina-s, policia britanike arrestoi një 36-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Koci Selamaj, që cilësohet si i dyshuari kryesor për vrasjen që shokoi Sussex-in lindor.
Efektivët ndoqën një makinë që u përdor nga Selamaj pas krimit dhe arritën të zbulonin banesën ku ai jetonte. I dyshuari punonte si shpërndarës picash për kompaninë “Domino” dhe cilësohet nga fqinjët si një njeri tepër i qetë.
Çfarë dihet për familjen Selamaj në Shqipëri?
Zoom.al u thellua në kërkime duke mësuar kështu më shumë detaje rreth jetës dhe familjarëve të 36-vjeçarit, një prej dy djemve të Bashkim dhe Tefta Selamajt.
Diku rreth vitit 2000, prindërit e Kocit do të bëheshin pronarë të një apartamenti në një pallat pesëkatësh të Elbasanit. Për aq kohë sa ai jetoi në këtë shtëpi, rreth moshës 15-16-vjeçare, njihej si një djalë i qetë dhe jo problematik.
“Rrallë e shihnim atë jashtë apartamentit të tij”, rrëfen një banor i lagjes “5 Maji”.
Sipas dëshmive të fqinjëve dhe banorëve të zonës përreth, nuk vonoi shumë dhe pak kohë pas blerjes së apartamentit, familja emigroi në Greqi.
“Të pakta ishin rastet kur i shihnim në Elbasan. Vinin sa për të hapur shtëpinë”, vijon i njëjti burim.
Prej më shumë se një dekade, tanimë prindërit e Kocit, Bashkimi dhe Tefta janë kthyer në Shqipëri dhe jetojnë në Tiranë. Megjithatë, edhe në këtë 10-vjeçar, ata e kanë parë shumë pak herë familjen
Selamaj të rikthehet në apartamentin në lagjen “5 Maji”.
Gazetarët e Zoom.al mundën të siguronin pamje të pallatit të lartpërmendur, teksa vunë re një detaj interesant. Në parvazin e dritares së apartamentit të Selamajve, pozicionuar drejt derës së jashtme të shtëpisë dhe katit të dytë të godinës ku ndodhet shtëpia, gjendet një kamerë sigurie.
Dyshohet se hera e fundit që familjarët erdhën në këtë shtëpi mund të ketë qenë ditën e djeshme, rreth orëve të pasdites.
“Pas kaq kohësh, drita ishte ndezur”, sqaron një tjetër banore.
Teksa ende pritet të hidhet dritë mbi vrasjen e tmerrshme të mësueses në Britani, policia ka arrestuar dhe 2 persona të tjerë, por ata do të hetohen në gjendje të lirë./@Zoom.al