zoom

Ekonomi

Ekonomia u rrit me 6% në tre muaj nga ndërtimi. Bujqësia në “frymë të fundit”

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2022, ekonomia e vendit u rrit me 6%, krahasuar me tremujorin e parë 2021.

Sipas Instat, rritja i atribuohet sektorëve si, ndërtimi me 2%, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore me 1.6% dhe aktiviteti në pasuritë e paluajtshme me 0.9%. Njësoj, po me 0.9% kontribuan edhe taksat neto të produkteve, ku përfshihen TVSH, akciza, taksa doganore. Bujqësia ka kontributin më të ulët, me 0.01%.

Sipas aktivitetit të vetë sektorëve, rritjen më e madhe për këtë tremujor e pati përsëri ndërtimi, me 24.5% rritje nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Rritjen e dytë më të madhe e pati sektori i shit-blerjes së pasurive të patundshme, me rreth 15% më shumë.

Rritja e sektorit të bujqësisë duket e papërfillshme, me vetëm 0.1% ndryshim nga tre muajt e parë të 2021-shit, ndonëse dy vite më parë, ky sektor ishte kontribuesi kryesor në rritjen e PBB-së së vendit.

Uljen më të madhe të aktivitetit, për tremujorin e parë 2022, e pati sektori i arteve, argëtimit dhe çlodhja, me 14.4% rënie.

Në raport me tremujorin paraardhës, rritjen më të madhe të aktivitetit e ka pasur grupi i aktiviteteve shkencore, profesionale dhe teknike, me 6% rritje. Ndjekur nga aktivitetet financiare dhe sigurimit.

Nga tremujori i parë i 2021-shit në atë të 2022-shit, sipas komponentëve të metodës së shpenzimeve, rritjen më të madhe e ka patur, tregtimi i mallrave, me 25.3% eksportet dhe 17.6% importet.

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 8.6%.

Konsumi final i qeverisë, që mbledh vlerën e shërbimeve që qeveria kryen në përfitim të komuniteteve, pësoi rënie me 2.8% dhe komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks,pra shpenzimet ekstra nga prodhuesit e produkteve ose shërbimeve,  u rrit me 15.5%.