zoom

Lajme

Egnatia mposht Kukësin dhe fiton Kupën e dytë radhazi. Festa dhe reagimet, Tetova: Tani kampionatin

Egnatia është për të dytën herë radhazi fituese e Kupës së Shqipërisë, pas triumfit 1-0 ndaj Kukësit në “Air Albania”, teksa vitin e kaluar me të njëjtin rezultat mposhti Tiranën.

Emocionet nuk munguan as në tribuna, aty ku tifozët e skuadrës nga Rrogozhina nderuan me një baner Rafael Dwamenan, që humbi jetën fundvitin e shkuar pas një ataku kardiak në fushë.

Në minutën e 9-të, Montenegro vendosi në provë Tafas me një goditje nga larg, e menjëhershme përgjigja e portierit.   Pas gjysmë ore lojë, një krosim i Fernandos nuk u konkretizua si duhet, me Reçin që ktheu saktë topin te portieri.

Egnatia zhbllokoi llogaritë në minutën  e 38-të. Pas një aksioni me shumë pasime, topi përfundoi te Ndreca, i cili me një të djathtë të bukur dërgoi topin në rrjetë. Me golin e ish-it Ndreca u mbyll pjesa e parë, ndërsa fraksioni i dytë ishte edhe më i luftuar. Verilindorët pruvan të reagojnë në minutën e 49-të me anë të Hasaj, pa rezultat.  Në të 53-tën, rrëmujë në zonë pas një ekzekutimi të një goditje dënimi, Lala dërgoi sferën jashtë.

Në të 77-tën, Egnatia fiton penallti me VAR, pas një prekje me dorë të Mingos. Nga pika e bardhë u nis Fernando, ideja e të cilit u kuptua nga portieri Tafas, që neutralizoi gjithçka. Pavarësisht rasteve dhe 5 minutave shtesë, nuk pati ndryshim rezultati, me Egnatian që fiton për herë të dytë radhazi Kupën. Në krahun tjetër, te Kukësi do provojnë të ringrihen, duke nisur që nga sezoni i ardhshëm në Kategorinë e Parë.

Për sa i përket ekipeve që kanë fituar më shumë herë trofeun e Kupës së Shqipërisë, vendi i parë mbahet nga Tirana, me 16 trofe, e ndjekur nga Partizani me 15 dhe Dinamo me 13 trofe.

Kapiteni i Egnatias, Renato Malota u shpreh i kënaqur pas fitimit të Kupës së Shqipërisë (1-0 ndaj Kukësit).

“Normalisht që u hap thesi. Çunat e merituan, falenderojmë presidentin që nuk mungon suporti i tij, 40 mijë euro. Gjithsecili ka bonuse personale dhe është më shumë. Është emocion ndryshe si kapiten, përgjegjësi e madhe. Kemi kaluar 1 vit shumë të vështirë me humbjen e Dëmenas, këtë trofe ia dedikojmë vetëm atij. Në futboll nuk ke kohë për të festuar, është plus për ne se shkojmë më të qetë te Vllaznia me trofe të siguruar. 2 finalet e radhës do të japim më të mirën.

Për ne do jetë si finale, do futemi për ta fituar. Është emër i madh Vllaznia dhe e dijmë çfarë na pret. Kemi ekip të konsoliduar, kam besim do e kalojmë Vllazninë. Futbolli nuk ka moshë, nëse stërvitesh mirë je i aftë të luash deri 34, 35, 36”, tha ai.

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova dha mendimin e tij pas fitimit të Kupës së Shqipërisë.

“Kemi folur pak me presidentin kur mbaroi kampionati. Kemi një kontratë edhe 2 vite, por mirë është të kemi përsëri një diskutim. Kupa e dytë, një emocion i dyfishtë. Një rrugëtim shumë i mirë në Kupë dhe në kampionat. Është vetëm një pjesë e asaj që kemi konkluduar. Kemi një tjetër finale më datë 19 dhe kjo gjë mbyllet sot.

Te ndeshja sot, në 20 minutat e para ishim të ç’’rregulluar më pas u kthyem në detyrat përkatëse. Penallti tjetër e humbur nga Fernando? Fitorja i sheshon të gjitha, por aty e humbëm pak moralin dhe ramë në presion. Kam kërkuar të mbroj Kupën për faktin psikologjik. Jemi një ekip i ri me 2 trofe tashmë. Kjo na bën që të shkojmë në Final Four me moralin lart. Kampion i sezonit të rregullt? Nuk është presion, e rëndësishme ishte maratona e kampionatit. Finalet janë finale, është 1 ndeshje. Do luajmë me dinjitet siç kemi luajtur gjatë gjithë kohës. Kush e fiton kampionatin? Egnatia”, tha Tetova pas fitores 1-0 ndaj Kukësit. /ZOOM.AL/