zoom

Politikë

Edi Rama shkarkon Erion Veliajn si Drejtues Politik i Qarkut Tiranë?

Pak ditë më parë Kryesia e Partisë Socialiste vendosi të emërojë kryetarët e rinj të partisë në nivel bashkie.

Një procedurë kjo që nuk është parashikuar në Statut, i cili në nenin 31 të tij përcakton se: “kryetarët e partive në nivel bashkie zgjidhen me votë nga Mbledhja e Zgjeruar e Asamblesë Socialistë të Bashkisë”.

Në fakt socialistët zhvilluan një proces propozimesh dhe vetëpropozimesh për kandidatë për kryetar të Partisë Socialiste, si dhe kryen për herë të parë një proces dëgjesash me kandidatët.

Por vetëm kaq, ata nuk kryen asnjë votim në asambletë e zgjeruara të partisë, ndërsa lista e kryetarëve të rinj u miratua me vendim të Kryesisë.

Një prej kryetarëve të rinj, të shpallur nga Kryesia ishte edhe Erion Veliaj, i cili u emëruar kryetar i Partisë Socialiste për Bashkinë Tiranë.

Në fakt ai nuk u bë pjesë e asnjë procesi zgjedhor, vetëkandidimi apo propozimi nga baza, dhe mbi të gjitha nuk iu nënshtrua asnjë votimi nga Asambleja e Zgjeruar e Socialistëve të Tiranës.

Shumë nga njerëzit pranë tij u kujdesën që ta paraqesin këtë si një ngritje në detyrë dhe një besim që Kryesia e Partisë Socialiste i kishte dhënë Veliajt për të drejtuar socialistët e kryeqytetit.

Por në fakt e kundërta është e vërtetë.

Kryesia e Partisë Socialiste e kishte ulur Veliajn në detyrë. Ai deri më tani mbante pozicionin e Drejtuesit Politikë të Qarkut për Partinë Socialiste, duke qënë këtu përgjegjës edhe për zonën më të madhe elektorale në vend, duke drejtuar socialistët e Tiranës, Vorës, Kamzës, Kavajës dhe Rrogozhinës.

Në fakt për shkarkimin e tij nga kjo detyrë nuk ka një vendim të bërë publik nga Partia Socialiste, por këtë e parashikon Statuti në nenin 68 të tij ku flet për papajtueshmërinë e dy mandateve apo detyrave në parti.

Natyrisht që edhe logjikisht, një kryetar partie i nje bashkie nuk mund të jetë edhe drejtues politik i qarkut pjesë e të cilit është bashkia në fjalë.

Kjo pasi drejtuesi politik duhet jo vetëm, të organizojë strukturat në nivel qarku, por edhe të kërkojë llogari prej tyre për realizimin e objektivave politike.

Ndaj Veliaj nuk mund të jetë edhe drejtues politik i qarkut dhe kryetar partie, pasi do duhet t’i jap urdhëra dhe t’i kërkojë llogari vetes për funksionimin e partisë në Bashkinë e Tiranës.