Aplikacion
Ahmetaj, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Ramës deri kur ai u shpall “non grata” në qeverinë Rama dhe në Partinë Socialiste, nuk kurseu akuzat ndaj rrethit të ngushtë të kryeministrit, duke përmendur emra, projekte të dyshimta të qeverisë dhe shpenzime luksitqë sfidojnë çdo logjikë në një vend me probleme të thella sociale.
Akuzat për Ramën
Ahmetaj e intensifikoi sulmin ndaj Ramës duke zbuluar detaje për shpenzimet luksoze të tij jashtë vendit, përfshirë trajtimet në klinika elitare në Itali. Ai përmendi një klinikë të famshme në Piemonte, “Palace Merano” ku Rama, sipas tij, trajtohet për probleme shëndetësore dhe relaks, trajtime që shkojnë në vlera marramendëse, e që sipas tij janë paguar nga një biznesmen, i cili ka përfituar leje të shumta ndërtimi.
“Rama shpenzon për trajtime private në Itali shuma që një qytetar i thjeshtë nuk do t’i fitonte për 10 vite punë të ndershme,” tha Ahmetaj.
Verat e shtrenjta dhe charter-i luksoz nga “Air Albania”
Ahmetaj e akuzoi Ramën për një mënyrë jetese luksoze. Tha se Rama konsumon verëra që kapin çmimin 33,000 dollarë për shishe, që i konsumon me Ergys Agasin, një personzh që sipas tij drejton shtetin, dhe përdor avionë privatë për udhëtime, duke shpenzuar dhjetëra mijëra euro për çdo fluturim. “14 mijë euro i bën fluturimi nga Tirana në Romë” – tha ai.
Ish -zëvendëskryeministri pretendoi se “Air Albania” është përdorur si një instrument politik dhe ekonomik për të favorizuar interesa të ngushta.
Sipas tij, kontratat e lidhura me operacionet e “Air Albania”, përfshirë blerjen dhe marrjen me qira të avionëve, janë dhënë në mënyrë të parregullt dhe pa garë të hapur. Ai përmendi se disa prej këtyre kontratave janë bërë me kompani të huaja të lidhura me individë të afërt me qeverinë.
Ahmetaj deklaroi se kryeministri Rama ka kontrolluar në mënyrë personale operacionet dhe strategjinë e kompanisë “Air Albania”, duke ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në çdo vendim të rëndësishëm, ndërkohë që kompania ka krijuar humbje të mëdha financiare në 20 milionë dollarë.
Ai tha gjithashtu se “Air Albania” është përdorur për të mbuluar udhëtimet luksoze të kryeministrit pasi një avion i saj (Ismaili i denoncuar më parë nga Zoom.al) është vënë shpesh në dispozicion për udhëtime personale, duke përdorur paratë publike për përfitime private.
“Eko-Park, një skemë për pasurimin e familjes Rama”
Ahmetaj e përshkroi projektin Eko-Park si një shembull klasik të korrupsionit institucional. Ai pretendoi se projekti është përdorur për të siguruar përfitime të drejtpërdrejta për familjen e kryeministrit, ndërsa qytetarët mbeten të painformuar për detajet dhe kostot e tij.
Ergys Agasi, “kryeministri në hije”
Arben Ahmetaj e përshkroi Ergys Agasin si një figurë kyçe që lidh politikën me krimin e organizuar dhe biznesin, duke e cilësuar atë si “koordinatorin” e Ramës me grupet kriminale.
Ahmetaj th se Agasi, një individ pa funksion zyrtar, ka një ndikim të jashtëzakonshëm në vendimmarrjet e qeverisë dhe në strukturat e Partisë Socialiste. Ai ngriti pyetjen retorike nëse socialistët votuan që “Ergys Agasi të drejtojë Shqipërinë”, duke lënë të kuptohet se Agasi vendos për çështje të rëndësishme në drejtiin e vendit.
Sipas Ahmetajt, Agasi ka organizuar takime mes politikës, krimit dhe biznesit, duke shërbyer si ndërmjetës mes këtyre sferave. Ai përmendi një rast konkret ku Agasi ka organizuar një festë në një resort në periferi të Tiranës, ku morën pjesë përfaqësues të krimit të organizuar, politikës dhe biznesit. Këto takime, sipas Ahmetajt, janë prova të lidhjeve të ngushta mes qeverisë dhe elementëve kriminalë.
Ahmetaj gjithashtu akuzoi Ramën se ka caktuar Agasin për të koordinuar marrëdhëniet me grupet kriminale, duke e bërë atë një figurë kyçe në strukturën e pushtetit. Ai sugjeroi se Agasi është personi që kontrollon Partinë Socialiste dhe administratën publike, duke ndikuar në emërimet dhe vendimmarrjet kyçe.
Akuzat për zëvendëskryeministren Belinda Balluku
Pas Ramës, radhën e patën bashkëpuëntorët e tij. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku qe në syrin e ciklonit të akuzave të reja të Ahmetajt. Ai e akuzoi atë për përfshirje në afera të dyshimta korruptive. Ahmetaj theksoi se një sërë tenderash të mëdha publike janë ndarë në mënyrë të padrejtë, duke favorizuar kompani të afërta me qeverinë.
1. Projekti i Aeroportit të Vlorës
Ahmetaj deklaroi se Balluku ka qenë e përfshirë në manipulime dhe abuzime në tenderin për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Ai sugjeroi se ky projekt, me vlerë të lartë financiare, ishte paracaktuar për kompani të afërta me qeverinë dhe se nuk pati një garë të drejtë dhe transparente.
2. Koncesionet e rrugëve
Një tjetër akuzë ishte përfshirja e Ballukut në afera të lidhura me koncesionet e rrugëve. Ai përmendi që shumë projekte infrastrukturore, si ato për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Thumanë – Kashar, Tunelin e Llogarasë, Rrugën e Arbrit, për të cilat tha se u janë dhënë kompanive të favorizuara në mënyrë të parregullt, me vlera të fryra dhe në shkelje të procedurave.
3. Abuzimi me sektorin energjetik
Ahmetaj akuzoi Ballukun për keqmenaxhim dhe abuzime në sektorin energjetik. Ai tha se janë lidhur kontrata për blerje energjie me çmime të fryra nga kompani të lidhura me pushtetin, duke rënduar kostot për qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
4. Projekti i Portit të Durrësit
Ahmetaj e implikoi Ballukun në përfshirje indirekte në procesin e dhënies së projektit të Portit të Durrësit biznesmenit arab Mohammed Alabbar. Ai sugjeroi se Balluku është një ndër figurat që ka favorizuar marrëveshjen në kurriz të interesave të shtetit.
5. Shpenzime të fryra në projektet e ndërtimit të ujësjellësve dhe energjisë së gjelbër
Ahmetaj tha se Balluku ka qenë pjesë e skemave ku janë dhënë fonde të mëdha për projekte të ndërtimit të ujësjellësve dhe energjisë së gjelbër, të cilat janë shoqëruar me keqpërdorime dhe mungesë transparence.
6. Koncesionet e mirëmbajtjes së rrugëve
Një tjetër akuzë e rëndë ishte se Balluku ka miratuar koncesione për mirëmbajtjen e rrugëve kryesore në vend me kushte të njëanshme, që përfitojnë kompanitë e paracaktuara dhe dëmtojnë buxhetin.
7. Lidhjet me kompani klienteliste
Ahmetaj përmendi që Balluku është në bashkëpunim të ngushtë me kompani të lidhura politikisht me qeverinë Rama, duke favorizuar këto kompani për të fituar projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike, në dëm të një gare të ndershme.
“Reforma në Drejtësi, një vegël politike e Ramës”
Ahmetaj kritikoi ashpër reformën në drejtësi dhe në veçanti SPAK-un, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që Rama përdor për të sulmuar kundërshtarët politikë dhe për të mbrojtur aleatët e tij.
“SPAK-u nuk heton asnjë rast që lidhet me Ramën dhe rrethin e tij. Dosjet e mëdha, përfshirë ato që lidhen me korrupsionin galopant të kësaj qeverie, janë të bllokuara. Reforma në drejtësi është kthyer në një mjet për të mbajtur pushtetin dhe për të heshtur zërat kritikë,” deklaroi ai.
Për secilin rast të denoncuar Ahmetaj kërkoi hetim nga drejtësia. Ai premtoi se në vijim do të publikojë prova dhe dokumente të reja për të mbështetur akuzat e tij. /Zoom.al