zoom

Aktualitet

Dyshimet/ A ishte kompania sllovene pjesë e skenarit për fletën e votimit?

Një letër e kompanisë sllovenen CETIS që vinte në dijeni KQZ-në se nuk mund t’i prodhonte në kohë fletët e votimit, u shpërnda në disa mediat shqiptare, pak orë përpara se Kolegji Zgjedhor të jepte vendimin mbi formatin e fletës.

CETIS shprehej se për shkak të vështirësive teknike nuk mund të përgatiteshin fletët e votimit brenda 10 ditëve.

Kompania kishte gati fletët në formatin A3. Por fleta e votimit që kërkonte opozita me emrat e kandidatëve ishte e një formati tjetër.

Kjo që përkonte PS ishte me numra dhe mjaftonte formati A3. Kolegji Zgjedhor vendosi variantin e PS. Menjëherë pas vendimit, problemi duket i tejkaluar.

Ilirjan Celibashi, kryetar i KQZ, nuk vonoi ta thoshte këtë. Ai doli në një konferencë të posacme për shtyp. 

“Kemi komunikuar herët në mëngjes me përfaqësues të kompanisë sllovene, dhe në këtë format sikurse është fleta e votimit tani ata mund tu qëndrojnë afateve për printimin dhe sjelljen e fletëve të votimit në KQZ. Procesi në pikëpamje të printimit dhe transportit është më i thjeshtë, sepse është me dimensione më të vogla, kështu që nuk kemi asnjë problem me printimin dhe transportin. Fleta e votimit do të jetë në dimension të njëjtë në të gjitha qarqet. Në katër qarqe janë katër kandidatë të pavarur”, deklaroi Celibashi.

Tani s’ka më asnjë problem, sipas Celibashit. Zgjedhjet nuk janë më në rrezik, sic mund të ndodhte nëse Kolegji Zgjedhor do të pranonte fletën e kërkuar nga Partia Demokratike, ku qytetarët do të votonin për emrat e kandidatëve dhe jo për numrat që u përkojnë.

“Kemi mirëkuptimin e kompanisë, edhe pse ne jemi shumë vonë, ata brenda të njëjtave termave financiarë do ti përmbushin detyrimet për të printuar dhe transportuar fletët e votimit. Nuk do kemi probleme qoftë me kostot, qoftë me integritetin e votimit”, sqaroi Celibashi.

Por a ishte real shqetësimi i kompanisë sllovene apo ajo u përdor me një skenar të detajuar për të bërë lojën e mazhorancës?

Kompania mund të mos ketë pasur mundësinë t’i prodhonte fletët e votimit jashtë formatit A3, por përse ajo i kishte marrë masat për këtë format dhe jo për ndonjë tjetër, teksa të gjitha variantet ishin në diskutim?

Vec dyshimeve që mund të lindin nga kjo pyetje, një tjetër fakt është që KQZ dhe të gjitha strukturat e saj e cuan deri në limite vendimin për fletën e votimit.

Mjafton të kujtojmë që u deshën dy ditë mbledhje për të kuptuar se kush nga strukturat e KQZ e kishte në dorë të vendoste për fletën, aq sa koha u shndërrua në mjetin kryesor të presionit për modelin e fletës. Nën një presion të tillë, përara zgjedhjes për shtyrjen e zgjedhjeve apo për të ndryshuar fletën, s’do të kishte instancë që të vendoste për të parën, aq më pak kur variantin e dytë e kërkoi me këmbëngulje qeveria. ©Zoom.al