zoom

Aktualitet

Duzina e deputetëve të Ramës që janë pas hekurave e para drejtësisë

Të zgjedhur për të përfaqësuar popullin, por mandati iu ndërpritet në mes prej telasheve me drejtësinë.

Kjo është historia e të paktën 11 deputetëve të Partisë Socialiste, që sot po përballen me drejtësinë për korrupsion, për lidhje me krimin e organizuar a për shpërdorim detyre.

Plarent Ndreca

Emri më i freskët është ai i Plarent Ndrecës. Jo më larg se këtë të premte ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK, që i komunikoi akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Plarent Ndreca akuzohet për garën për ndërhyrje në katër komisariate në vend, në periudhën 2013-2017, kur ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Për këtë arsye ai sot rrezikon të humbasë mandatin e deputetit, që e mori në vitin 2021.

Jurgis Çyrbja

Vetëm pak ditë para Plarent Ndrecës, emri më i lakuar në radhët e socialistëve ishte Jurgis Çyrbja. Ai dorëzoi mandatin e deputetit, që e mbante që nga viti 2017, duke i paraprirë arrestimin me urdhër të SPAK. Çyrbja akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje, përkrahje të autorit të krimit, si edhe për tregim të sekretit shtetëror.

Jurgis Çyrbja u fundos pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e koduar Sky ECC, ku u zbulua se informacionet sekrete shtetërore që Çyrbja arrinte t’i siguronte përmes zyrtarëve, ende të paidentifikuar, duke shfrytëzuar pozitën e tij si deputet ua jepte grupeve kriminale, mes tyre Altin Hajrit.

Alqi Bllako

Alqi Bllako u vetëdorëzua në polici më 1 prill të vitit 2022, pasi Gjykata e Posaçme caktoi më parë masën e “arrestit me burg” pas hetimit për kontratën koncesionare të Fierit me një vlerë të përllogaritur në 28 milionë euro. Ai e gëzoi vetëm një vit mandatin e deputetit që e fitoi në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Ai u dënua për shpërdorim detyre me 2.8 vite burg në rastin e incineratorit të Fierit. Ai qe akuzuar për korrupsion nga SPAK, e cila pretendoi se ka përfituar 15 milionë lekë nga kompania e incineratorit të Fierit. Por në dispozitivin e vendimit të gjykatës, Bllako u dënua vetëm për shpërdorim detyre.

Arben Ahmetaj

Mandati i Arben Ahmetajt si deputet u ndërpre në janar të këtij viti. Emri i tij u përfshi në hetimet për dhënien nga qeveria të 3 kontratave qindra-milionë euro për ndërtimin e inceneratorëve, një hetim që ka çuar pas hekurave disa zyrtarë të tjerë të lartë, një ish-ministër dhe një ish-deputet të PS-së.

Ai ka pasur një karrierë të gjatë politike me PS-në dhe ka shërbyer si zëvendëskryeministër dhe ministër në disa pozicione kyçe të qeverisë socialiste nga 2013 deri 2022 nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Hetimi i prokurorisë kundër ish numrit dy të qeverisë “Rama” zbuloi prona dhe investime të padeklaruara të tij në dy dekada si dhe pagesa të tërthorta të marra nga biznesmenët e inceneratorëve me vlerë 491 mijë euro si dhe një vilë në Hamallaj.

Lefter Koka

9 ditë para fillimit të sesionit të ri parlamentar, deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste në Durrës në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Lefter Koka dha dorëheqjen nga mandati.

Ai u arrestua në dhjetor të 2021 për aferën e inceneratorëve. Hetimet e nisura që në vitin 2020 kanë zbuluar se nuk është ndjekur procedura e duhur për dhënien e një koncensioni, ku ministri i Mjedisit kishte cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi më pas me 5.8 vite burg ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka për akuzat lidhur me aferën e inceneratorin e Elbasanit.

Ilir Beqaj

Ilir Beqaj përfundoi në pranga në korrik të këtij viti me urdhër të SPAK. Sipas SPAK, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj, në bashkëpunim me vartës të tij gjatë viteve 2022-2023 kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me marrëveshjet e firmosura nga Shqipëria dhe Komisionit Evropian.
Po ashtu, SPAK-u thotë se Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi këtë restorant pranë Kalasë Tiranë.

Ndërkohë, Ilir Beqaj është duke u hetuar edhe një rast tjetër të ndarë, i cili lidhet me dyshimet për abuzime në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Prokuroria e akuzon atë për “shpërdorim të detyrës” në lidhje me një kontratë 10-vjeçare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Vitin e kaluar, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” në polici, si dhe “ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Rrahman Rraja

Rrahman Rraja e dorëzoi mandatin e deputetit në korrik të 2023 pasi djali dhe vëllezërit e tij dhunuan barbarisht dy anëtarë të fisit Maja. Ai kërkoi ndjesë publike për rastin dhe u shpreh i turpëruar për veprimet e djalit të tij. Rrahman Rraja ishte deputet i Partisë Socialiste që në vitin 2017.

Arben Ndoka

Një tjetër emër në radhët e socialistëve i njohur për lidhjen e tij me krimin është ai i Arben Ndokës. Ish-deputeti i PS u shpall në kërkim pas operacionit të SPAK në disa qytete, pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC. Ai dyshohet se ka nisur një fushatë për të ekzekutuar të gjithë ata persona, që ai mendonte se kanë marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka.

Artan Gaçi

Artan Gaçi gëzoi për 8 vjet mandatin e deputetit nën siglën e Partisë Socialiste, deri në 2017-ën, vit kur ai njoftoi tërheqjen nga politika, duke deklaruar se nuk do të kandidonte më si deputet.

Tashmë investitor strategjik në jug të Shqipërisë, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka është paraqitur disa herë në SPAK, si i kallëzuar për falsifikim dokumentesh të pronës, që bleu për investim, duke bashkëpunuar me Jorgo Goron, ish-kryetarin e Bashkisë Himarë.

Sipas kallëzimit, këto falsifikime dokumentesh janë kryer për të siguruar blerjen e kësaj toke nga ish deputeti Gaçi, i cili mori statusin e investitorit strategjik.

Olta Xhaçka

Mandati i Olta Xhaçkës si deputete është në pikëpyetje. Rasti i mandatit të saj e ka zanafillën që në qershor të vitit 2022, kur 14 deputetë demokratë, iu drejtuan parlamentit me një mocion për konstatimin e pavlefshmërisë dhe përfundimin e mandatit të ish ministres.

Paralelisht, disa ditë më vonë një mocion i ngjashëm u paraqit dhe nga një tjetër grup deputetësh të opozitës. Sipas tyre zonja Xhaçka ishte në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut.

Ndërkohë që vetë Xhaçka ka këmbëngulur se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi që ka përfituar bashkëshorti i saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë. Aktualisht çështja është në pritje të një mendimi nga ekspertët e Komisionit të Venecias,
pasi vota e deputetëve socialistë pengoi për herë të tretë kalimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të Xhaçkës.

Vullnet Sinaj

Në të njëjtat pasiguri si mandati i Olta Xhaçkës “po noton” edhe ai i deputetit socialist Vullnet Sinaj.

Partia Demokratike pretendon se ka prova të mjaftueshme që provojnë shkeljen e Kushtetutës nga deputeti Sinaj, pasi ai ka përfituar fonde publike në në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike.

Në mocionin e PD sillen dokumente të disa pagesave të bëra nga drejtoria e Përgjithshme e Thesarit kundrejt disa kompanive të cilat sipas ekstrakteve në regjistrin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, që sipas PD-së janë në pronësi të deputetit socialist.

Sinaj ka mohuar që të ketë përfituar drejtpërdrejt fonde publike. Në një reagim në fillim të gushtit kur akuzat u bënë publike ai pretendoi se ka hequr dorë nga administrimi i të gjitha kompanive të tij që nga viti 2017 kur vendosi t’i futej politikës./ Zoom.al