zoom

Lajme

Dumani raporton te Ligjet: Sekuestruam 41 mln euro krimi e korrupsioni. Jemi prokurorë, jo vizitorë

Kreu i SPAK, Altin Dumani është sot i pranishëm në Komisionin e Ligjeve, ku ka raportuar në lidhje me punën e SPAK.

Ai bëri një tablo të punës së Prokurorisë së Posaçme, ndërsa risolli në vëmendje shifrat e kërkesave për gjykim, apo arrestimet me kërkesë të SPAK.

Ai tha se në një vit janë sekuestruar 41 mln euro pasuri të paligjshme. Gjithashtu ai theksoi se institucioni e bën punën si organ i akuzës me fakte dhe prova dhe jo mbi bazë opinionesh apo gjykimi, duke specifikuar se ata janë “prokurorë dhe jo vizitorë”.

“SPAK si ekip ka treguar se ka një përmirësim të punës krahasuar si një vit më parë. Në këto shifra gjendet puna, mundi dhe profesionalizmi i 18 prokurorëve dhe stafit tjetër. E gjithë trupa e SPAK ka hetuar 820 materiale, për të cilat 113 materiale nuk është vendosur nisja e hetimit. Në gjykatë janë dërguar 53 kërkesa për gjykim, 38 kërkesa me natyrë korruptive. Janë sekuestruar pasuri me vlerë 41 milionë euro.

Ne jemi prokurorë dhe jo vizitorë, ne mbledhim prova dhe nuk akuzojmë pa to. Shifrat janë kokëforte në lidhje me politikat penale. Masa arrest me burg zë vetëm 49% të totalit për të cilat është kërkuar një masë sigurie. Totali i burgosjes me urdhër të SPAK është 8.5%. Sa i takon bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, kemi arritur që të kemi besueshmëri dhe bashkëpunim me institucione partnere. Përfaqësues të DEA janë vendosur në SPAK”, tha ai ndër të tjera.

Javët e fundit është shtuar presioni dhe sulmi politik ndaj SPAK-ut, teksa janë rritur denoncimet e opozitës ndaj zyrtarëve qeveritarë. Kreu i PL, Ilir Meta, e ka sulmuar dhe akuzuar disa herë Dumanin, duke përdorur edhe fyerje publike. Ndërkombëtarët kanë shprehur mbështetje për institucionin e SPAK në mënyrë të vazhdueshme.

Disa muaj më parë, në raportin e tij në KLP,  Dumani theksoi mungesën e bashkëpunimit me institucionet, duke atakuar ato qeveritare, se nuk e denoncojnë korrupsionin. Kryeministri Edi Rama iu përgjigj se kjo ishte shenjë se korrupsioni kishte rënë. /ZOOM.AL/