zoom

Lajme

Debate të forta te Ligjet, Ndreca: Prokurorët nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës! Metani: S’jam SPAK

Në Komisionin e Ligjeve, pas drejtuesit të SPAK Altin Dumani, ditën e djeshme, sot është ftuar për t’u pyetur kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.

Deputeti i PS-së Plarent Ndreca tha se shumë prokurorë nuk zbatojnë vendimet finale të gjykatave. Ai tha se nuk kuptohet nga raporti që është përpiluar nga ILD se çfarë pune është bërë për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Ndërsa, Metani ka theksuar se ILD nuk është SPAK, duke shtuar se Inspektorati i Lartë i Drejtësisë bën kontrolle dhe vepron me standarde.

Debati në mbledhje:

Artur Metani: ILD është institucion me transparencë të lartë. Problematike për ILD është mosshqyrtimi i ankesave.

Plarent Ndreca: ILD nuk ka komunikim me Dhomën Kombëtare të Avokatëve. Nuk zbatohen rekomandimet e PP nga prokuroritë. Ka numër të lartë të mospranimeve të rekurseve. Ka raste kur prokurori nuk zbaton vendimin e formës së prerë të gjykatës. Ka sekuestrime pa vlera ekonomike. Nuk ka hetime penale për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka nivel të lartë të marrjeve të vendimit në dhoma të mbyllura, jashtë vëmendjes së publikut. ILD, nga sa shohim në raport, nuk shohim se çfarë rezultatesh ka.

Artur Metani: Unë nuk jam SPAK e nuk do bëhem ndonjëherë prokuror apo gjykatës. ILD performon me standarde, që janë konfirmuar. Problematikat që ka sistemi i zgjidh vetë sistemi përmes shkallëve që ka. Këto janë standarde që vihet për punën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Janë trajtuar mbi 2300 ankesa. Problematika ka dhe po ndiqen me kujdes. ILD ka kryer edhe inspektime sistematike që ka kryer. /ZOOM.AL/