Aplikacion
Përmes një komunikate zyrtare, SPAK sqaroi se hetimet e kryera zbuluan se pronarë “de facto” edhe në impiantin e përpunimit të mbetjeve në Tiranë janë shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të shpallur në kërkim në atë kohë për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit dhe tashmë të dënuar në mungesë për të dyja rastet.
SPAK arriti në përfundimin se Klodian Zoto dhe Klodian Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarë të vërtetë të shoqërisë “Integratet Ebergy B.V SPV”, që fitoi koncesionin në të tre inceneratorët.
Nën sekuestro ishin vendosur edhe inceneratori i Elbasanit dhe Fierit.
Por më 4 tetor, Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi të heqë sekuestron për Fierin.
Ky vendim i Gjykatës së Posaçme rrezikon të shndërrohet për precedent për inceneratorin e Tiranës.
Dosja e Tiranës konsiderohet si më e madhja në aferën korruptive të inceneratorëve, ku janë përfshirë ish -ministri Lefter Koka, ish -zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim dhe ish -deputeti socialist Alqi Bllako.
Opozita, që ngriti edhe një komision të posaçëm hetimor parlamentar ka akuzuar drejpërdrejtë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, si personin që qëndron pas aferës së inceneratorit të Tiranës. Bashkë me të, sipas opozitës, i përfshirë është edhe kryeministri Rama. Vetëm projekti i inceneratorit të Tiranës është 128 milionë euro, disa fish më i madhe se Elbasani e Fieri, me nga rreth 20 milionë euro.
Nëse GJKKO do të vendosë që të heqë sekuestron për inceneratorin e Tiranës, siç veproi me Fierin, vendimi do ta thellonte më tej skandalin. Në inceneratorin e Tiranës paguhen 29 euro për çdo ton mbetje të depozituar. Kjo vlerë përfshin diferencimin e mbetjeve me 12 euro për ton dhe djegien e tyre me 17 euro për ton. Në inceneratorin e Tiranës është tashmë e ditur që nuk ka impiant për djegien dhe mbetjet depozitohen dhe inkapsulohen, pa iu nënshtruar procesit për të cilin paguhet kompania e Zotos dhe Mërtirit.
Nëse Gjykata e Posaçme do ta lironte inceneratorin nga sekuestro, do të duhej të vendoste gjithashtu edhe ndalimin e pagesave për djegien, pasi ky proces nuk realizohet.
Rasti i Fierit mund të shërbejë si precedent për Tiranën vetëm në këtë aspekt, pasi përsa u përket ngritjes së akuzave ndaj zyrtarëve të lartë, veprimet e deritanishme të SPAK kanë ngritur dyshime të shumta në opinonin publik, aq sa rëndom artikulohet se prokurorët nuk do të mund të shkojnë deri në nivelet e larta që dyshohet se janë përfshirë në këtë aferë. /Zoom.al
Trump emëron këshilltarin e vjetër Keith Kellogg, si të dërguar special për Ukrainën dhe Rusinë