zoom

Ekonomi

Skandali/ Bashkia Tiranë shton me “urgjencë” buxhetin për inceneratorin. Shifra 5.6 mln euro

Bashkia e Tiranës ka shtuar një fond prej 600 milionë lekësh (5.6 milionë euro) për të paguar inceneratorin e Tiranës, teksa kjo e fundit ka paralajmëruar se në rast mospagesë do të ndërpresë shërbimin e depozitimit të mbeturinave.

Bashkia është detyruar që ta sigurojë vetë fondin, teksa Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ku Bashkia u drejtua fillimisht i ka thënë se përgjegjëse në raste të vështirësive financiare është autoriteti kontraktor, konkretisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).

Bashkia Tiranë ka përgatitur projektvendimin për “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2023-2025 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2023”, të ndryshuar, ku ka propozuar që të bëhen disa shtesa dhe ndryshime në buxhet, ku ndër të tjera

Një ndër ndryshimet kryesore lidhet me buxhetin është një fond shtesë për pagesat për inceneratorin e Tiranës për depozitimin e mbeturinave.  Në relacion sqarohet se Bashkia Tiranë ka ezauruar të gjithë planin buxhetor të vitit 2023 për këtë shërbim.

Bashkia ka kërkuar fonde tek Ministria e Financave, por kjo e fundit i ka thënë se “Në momentin e vështirësive financiare (të faktuar/verifikuar ligjërisht) nga ana e Bashkisë Tiranë, Autoriteti Kontraktor (MIE) është përgjegjës për garantimin e fondeve për kryerjen e pagesave nëpërmjet alokimit të buxhetit për Bashkinë Tiranë”.

Bashkia thotë se shoqëria ka paralajmëruar për ndërprerjen e shërbimit të depozitimit të mbetjeve, në rast të mos shlyerjes së detyrimeve. Si rrjedhojë lind e nevojshme që Bashkia e Tiranës të mbulojë nga të ardhurat e veta detyrimet për këtë kontratë duke parashikuar fondin e nevojshëm, deri në fund të vitit 2023.

Sipas tabelave që shoqërojnë vendimin dhe detajojnë rishpërndarjen e fondeve buxhetore, shuma shtesë për zërin “Shpenzime për Ndërtimi i Landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike” është 600 milionë lekë, ose rreth 5.6 milionë euro.

Sipas relacionit, “Bashkia e Tiranës në buxhetin e vitit 2023 dhe PBA 2023-2025 ka miratuar fondin për kontratën koncesionare, “Për ndërtimin e Landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”, sipas planit të financimit, respektivisht për Bashkinë Tiranë dhe Qeverinë, për vitet e zbatimit të projektit.

 

Sipas këtij plani, i cili bazohet në parashikimet për sasinë minimale të garantuar të depozitimeve, në buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të planifikohej pjesa tjetër e fondit të nevojshëm, e cila është parashikuar pjesërisht, në vlerën 200,000,000 lekë.

Aktualisht, Bashkia Tiranë ka ezauruar të gjithë planin buxhetor të vitit 2023 për këtë shërbim, planifikuar sipas angazhimit përkatës, si dhe fondin e parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për këtë qëllim dhe ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit sipas planit të angazhimit të dakordësuar.

Në vijim të shkresës me Nr.Prot 8835/1 datë 21.08.2023 nga Ministria e Brendshme me lëndë: “Mbi sigurimin e vijueshmërisë së menaxhimit të mbetjeve të Bashkive Tiranë, Durrës, Kamëz, Kavajë dhe Vorë” (bashkëlidhur), ku shkak për situatën e vështirë financiare është bërë moskryerja e pagesave të detyrueshme për menaxhimin e mbetjeve gjë e cila ka cuar në mospagesën e pagave të punonjësve të shoqërisë dhe të nënkontraktorëve të cilët kanë ndërprerë shërbimet deri në shlyerjen e detyrimeve, Bashkia Tiranë me shkresën me Nr.Prot 29299/1 datë 22.08.2023 ju drejtua dhe njëherë Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vlerësimin e të gjitha mundësive buxhetore për të akorduar për Bashkinë Tiranë në buxhetin e vitit 2023 fondin e nevojshëm për shlyerjen e detyrimeve, duke qenë se ndodhemi tashmë në kushtet e emergjencës.

Me shkresën me Nr.Prot 14743/1 datë 04.09.2023, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka rekomanduar marrjen e masave të menjëhershme për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe detyrimeve në vijim për këtë kontratë, nga Bashkia e Tiranës dhe se “Në momentin e vështirësive financiare (të faktuar/verifikuar ligjërisht) nga ana e Bashkisë Tiranë, Autoriteti Kontraktor (MIE) është përgjegjës për garantimin e fondeve për kryerjen e pagesave nëpërmjet alokimit të buxhetit për Bashkinë Tiranë”.

Referuar sa më sipër dhe në kushtet e emergjencës, përballë njoftimit nga shoqëria për ndërprerjen e shërbimit të depozitimit të mbetjeve, në rast të mos shlyerjes së detyrimeve, lind e nevojshme që Bashkia e Tiranës të mbulojë nga të ardhurat e veta detyrimet për këtë kontratë duke parashikuar fondin e nevojshëm, deri në fund të vitit 2023.

Në vazhdim të kësaj shkrese, Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike me shkresën me Nr.Prot 30940 datë 07.09.2023 i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit Financiar për parashikimet respektive në buxhet sipas përllogaritjeve për fondin e nevojshëm”, thuhet në relacion.

Në fillim të gushtit pas një procesi të gjatë hetimesh Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi kompaninë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” që zotëron koncesionin e Tiranës, dhe të gjitha pasuritë e tjera në emër të kompanisë.

SPAK njoftoi se, po hetonte në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 143/3 dhe 25, 248, 260 të Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 287/ gërma “a” dhe “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287 paragafi 2 i Kodit Penal.

Më herët SPAK vendosi nën hetim edhe inceneratorin e Elbasanit për të cilin më pas kreu edhe arrestime në nivel të lartë drejtues.

Inceneratorët përfituan miliona euro

Projektet e inceneratorëve nisën me atë të Elbasanit dhe pasuan më pas më Fierin dhe Tiranën  të sjella nga qeveria si një formulë që do ti jepte fund problematikës së mbetjeve. Por teksa u kritikuan fort për modelin e zgjedhur të menaxhimit kontratat e Partneriteteve Publike Private avancuan duke marrë nga buxheti i shtetit miliona euro.

Inceneratori i Elbasanit mori për periudhën 2015-2021, aq sa ishte dhe afati i koncesionit, rreth 2.4 miliardë lekë.

Inceneratori i Fierit mori për periudhën 2015-2022 rreth 4 miliardë lekë.

Inceneratori i Tiranës ka marrë pagesa nga buxheti 5.5 miliardë lekë për 2019-2022, ndërsa në total ka arkëtuar, sipas bilancit rreth 9.9 miliardë lekë për shkak se merr dhe pagesa nga bashkitë dhe për shërbimin e heqjes së dherave.

Në  korrik, para se SPAK të hapte hetimin, Ministria e Financave shkurtoi fondet e programuara në fillim të vitit për financimin e inceneratorin e Tiranës. Lajmi u njoftua në dokumentin e rishikimit të mes vitit të buxhetit 2023. Nga 1,27 miliardë lekë i ishte fondi përcaktuar në buxhetin fillestar, në rishikimin e qershorit do të jetë vetëm 464 milionë lekë me një ulje 63 për qind nga programi. Sakaq deri në fund të muajit maj inceneratori mori 326 milionë lekë ose rreth 70 për qind të financimit vjetor raportoi Ministria e Financave./Monitor