zoom

Aktualitet

Dosja “Partizani”, biznesmeni Fatmir Bektashi paraqitet në SPAK

Biznesmeni dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi është paraqitur në SPAK të hënën e 18 dhjetorit, në zbatim të vendimit.

Kujtojmë se ndaj tij është dhënë masa detyrim paraqitjeje dhe bllokim të pasaportës, e njëjta masë që është dhënë edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sipas SPAK, Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me Jamarbër Malltezi për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive Partizani për kryerje ndërtimesh.

Kompania Homeplan u themelua në vitin 2008 me themelues dhe ortak të vetëm Fatmir Bektashin. Deri në vitin 2018, Bektashi rezultonte  pronar i vetëm në kompani, por në këtë vit, një kontratë e vitit 2014 u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të cilën, Bektashi rezulton se ka shitur 60% të aksioneve.

Kontrata e shitjes, e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregon se Malltezi kishte blerë 35% të aksioneve të kompanisë përkundrejt vlerës nominale prej 35 mijë lekësh.

Kjo duket se ka shtyrë prokurorinë të konkludojë se përfitimi i miliona eurove dividente nga kjo kompani nga ana e Malltezit përbën përfitim të paligjshëm ndërsa skema e shitjes së aksioneve me vlerë nominale përbën mekanizmin e përdorur për fshehjen e transaksionit për pagesën e përfitimit, pra mekanizmin e pastrimit të produkteve të veprës penale. /ZOOM.AL/