zoom

Aktualitet

Dosja e inceneratorit të Tiranës, SPAK çon në gjyq Zoton, Mërtirin dhe 10 të tjerë

Dosja e inceneratorit të Tiranës, SPAK çon në gjyq Zoton, Mërtirin dhe 10 të tjerë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një nga dosjet më të rëndësishme që lidhet me inceneratorin e Tiranës, duke dërguar për gjykim biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, së bashku me 10 persona të tjerë dhe dy shoqëri tregtare.

Sipas SPAK, të pandehurit dyshohet se kanë ngritur dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal, i cili ka funksionuar përmes skemave të mashtrimit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Organi i akuzës pretendon se, përmes faturave fiktive dhe kompanive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, janë pastruar rreth 30 milionë euro.

Në dosje përfshihen edhe shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët akuzohen se kanë bashkëpunuar në realizimin e skemës financiare. Për gjykim janë dërguar gjithashtu edhe kompanitë Integrated Energy BV S.P.V. dhe Integrated Technology Service, të cilat sipas hetimeve kanë pasur rol në zbatimin e mekanizmave të dyshuar të mashtrimit dhe pastrimit të parave.

SPAK bën me dije se aktiviteti i dyshuar kriminal ka nisur që me lidhjen e kontratës koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës. Sipas hetimeve, kompania koncesionare ka përfituar miliarda lekë nga kontrata, ndërsa investimet e realizuara për ndërtimin e veprës rezultojnë shumë më të ulëta se të ardhurat e arkëtuara.

Prokuroria pretendon se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë tërhequr shuma të konsiderueshme parash nga kompania koncesionare nëpërmjet faturave fiktive, transfertave bankare dhe pagesave cash, duke i kanalizuar ato përmes një rrjeti kompanish dhe bashkëpunëtorësh.

Akuzat sipas SPAK

  • Mirel Mërtiri – akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.
  • Klodian Zoto – akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, mashtrim me pasoja të rënda, pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.
  • Dashamir Ymeraj – akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.
  • Arjola Kodra – akuzohet për falsifikim dokumentesh me pasoja të rënda, pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.
  • Giuseppe Ciaffaglione, Denisa Tollkuçi, Elton Bualli, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Marc Richard Lappat, Michael Peter Druijts dhe Ilir Dedja – akuzohen për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.
  • Shoqëria “Integrated Energy BV S.P.V.” akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
  • Shoqëria “Integrated Technology Service” akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale./ Zoom.al

Postime të lidhura