Aplikacion
Miratuar nga qeveria prillin e vitit të shkuar, marrëveshja e administrimit të parkut kombëtar nga fondacioni amerikano-shqiptar AADF, u kundërshtua fort nga opozita, ekspertë të fushës dhe shoqëria civile. Procesi i përzgjedhjes së AADF-së për projektin nuk u bë kurrë publik. Qeveria nuk i dha kurrë përgjigje pyetjes se pse një fondacion i huaj duhet të marrë fitimet e gjeneruara nga një pasuri kombëtare.
Si nisi ideja e projektit?
Për herë të parë projekti u përmend nga qeveria Rama në vitin 2016, për t’u jetësuar vetëm në 2019-n. Atëherë ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro prezantoi planin si një “bashkëpunim” midis qeverisë, ekspertëve vendas dhe UNESCO-s. (Më vonë ekspertët e pëmendur në dokument e mohuan komunikimin dhe qeveria nuk pranoi të publikonte diskutimet me UNESCO-n sipas kërkesës së opozitës).
“Unë besoj se me Fondacionin po nisim një sfidë të re, shumë të bukur, por që tejkalon kufijtë e vendit, sfidën e menaxhimit të ri të një Trashëgimie Botërore”, do të thoshte Kumbaro.
AADF, Fondacioni Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit, ku bën pjesë edhe shteti shqiptar, sipas marrëveshjes fiton të drejtën dhe detyrimin e administrimit të pasurisë kulturore (jo pronësinë) për një periudhë 10-vjeçare me të drejtë rinovimi nëse modeli rezulton i suksesshëm.
Investimi total në të parashikohet të arrijë 7.5 mln dollarë, nga të cilët 2 do të dalin nga arka e shtetit dhe pjesa tjetër nga AADF. Pjesa më e madhe e tyre do të shkojnë për ngritjen e bizneseve të shërbimit, barë dhe restorante. Sipas qeverisë, një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0.5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) të do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimsië kulturore në Shqipëri.
“Projekti në tërësi gjeneron sufiçit operativ vjetor në vitin 3 dhe suficit të akumuluar në vitin 7 ku ai operon me fitim prej afërsisht 1.5 milionë USD në vitin pasardhës”, shkruhet më tej në planin e biznesit. Plani parashikon investime prej 7.1 milionë USD, nga të cilat, 4.99 milionë USD do t’i investojë Fondi ndërsa 2.1 milionë do t’i investojë qeveria me paratë e taksapaguesve. Plani i biznesit parashikon shtimin e të punësuarve në parkun arkeologjik nga 14 që janë aktualisht deri në 110 vetë.
Marrëveshja parashikon gjithashtu që bordi i drejtorëve të fondacionit, një institucion me pesë vetë, nuk do të marrë paga, por atyre do t’u mbulohen shpenzimet për vete dhe një staf ndihmës prej pesë vetësh me një kosto të përgjithshme prej 140 mijë dollarësh në vit. Me një llogaritje të thjeshtë, pesë anëtarët e bordit dhe pesë ndihmësit e tyre do të paguhen mesatarisht nga 14 mijë dollarë në vit, në një kohë që paga mesatare vjetore në Shqipëri është më pak se 7 mijë dollarë. 2 do të jenë pjesë e qeverisë, 2 nga Fondacioni dhe një do të jetë arkeologu britanik Richard Hodges.
“Një anti-shqiptar si Hodges”
Richard Hodges, kreu i Fondacionit që do të menaxhojë Butrintin gjatë një leksioni të mbajtur vite më parë për studentët në Romë e cilëson Shqipërinë një shtet të krijuar artificialisht pa pasur asnjë shqiptar.
Në një video të bërë virale pak kohë më parë në rrjetet sociale, Hodges fliste se si grekët u dëbuan nga jugu i Shqipërisë dhe Korcca.
“Për një moment të shkurtër, kjo zona këtu (tregon me gisht jugun e Shqipërisë) ishte një zonë e ndarë ishte Epiri. Por, me ndërhyrjen e fuqive të mëdha, kjo zonë u mbyll dhe shumë grekë u larguan për më në jug”, thotë ai.
Fill pas videos, Partia Demokratike i kërkoi institucioneve shkencore të vendit të reagojnë në lidhje me deklaratat anti-shqiptare të Richard Hodges, drejtuesi i koncesionit të Butrintit.
“Është koha që institucionet shkencore të vendit të flasin zyrtarisht dhe publikisht për leksionet antishqiptare që Richard Hodges, drejtues i koncensionit të Butrintit, mban nëpër universitete dhe shkruan në “artikuj shkencorë”. Si deputete dhe qytetare e këtij vendi ju kam dërguar kërkesë zyrtare 3 institucioneve, të Albanologjisë, së Historisë dhe të Arkeologjisë. Gjykoj se është e drejtë dhe detyrim i instituteve shkencore shqiptare që t’u japin një përgjigje zyrtare deklaratave të Richard Hodges që kërkojnë të mohojnë, fyejnë dhe injorojnë historinë, vlerat dhe trashëgiminë e popullit shqiptar”, deklaroi deputetja Ina Zhupa atëkohë.
Kryeministri Edi Rama, e quante Hodges mikun e tij të mirë dhe të Shqipërisë…
Padia e PD-së
Pas një spiraleje të gjatë debatesh dhe kundërshtimesh, në nëntor 2022, Partia Demokratike dërgoi në Gjykatë Kushtesuese marrëveshjen koncesionare të Parkut të Butrintit, duke i kërkuar shfuqizimin e ligjit për koncesionin e Butrintit dhe pezullimin e menjëhershëm të këtij ligji, për shkak se krijon dëme të cilat do të ishin të pariparueshme nëse do të pritej deri në momentin e shfuqizimit.
Kërkesa u pranua nga Gjykata në fillim të janarit 2023.
Pak ditë më vonë, deputetja demokrate, Ina Zhupa, tregoi për mediat se jo vetëm PD e konsideron këtë koncesion antikushtetues.
“Konkretisht jemi ne deputetët si organ kushtetues, të cilët kemi paraqitur edhe kërkesën, edhe parashtrimet tona, të cilët kërkojmë shfuqizimin e koncesionit dhe nga ana tjetër është Presidenti i Republikës, i cili siç e ka paraqitur edhe në Kuvend me dekret edhe me arsyet e kthimit të këtij dekreti, e quan koncesionin anti-kushtetues. Risia dhe shtesa e këtyre parashtrimeve është edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, një organ tjetër kushtetues i pavarur në parashtrimet që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese mbështet plotësisht kërkesën e deputetëve të Opozitës dhe kërkon shfuqizimin e ligjit si një ligj anti-kushtetues” do të shprehej Zhupa.
Deri pak muaj më parë, qeveria ka kundërshtuar termin “koncesion” në këtë projekt, ndoënse i ka të gjitha kriteret.
Butrinti si qendër historike
Romakët e përdorën portin e Butrintit si një bazë për fushatën e tyre ushtarake në Ballkan në shekullin e 2-të, më pas, ai u bë koloni e ushtarëve të vjetër të Jul Çezarit. Për shumë kohë edhe në Mesjetë, ishte në duart e venecianëve, të cilët mbronin kufirin lindor të kanalit të Korfuzit. Vetëm në shekullin e 18-të ata e braktisën Butrintin, pasi humbën me turqit. Në vitet 1850, kur Edëard Lear kaloi në këtë rrugë, ajo ishte e shkretë.
Butrinti u injorua deri në vitin 1920, kur misioni italian me në krye Luigj Ugolinin mbërriti në Shqipëri. Në atë kohë Butrinti ishte një kodër në një peizazh shkretëtire. Brenda tre muajve Ugolini kishte zbuluar zgjatime të mëdha të mureve të poligoneve grekë rreth qytetit si dhe porta të mëdha dhe tepër fine.Gërmimi më i madh megjithatë ishte në faqen lindore të kodrës, ku ai zbuloi teatrin. Teatri i shekullit të IV, me ndenjëset e spektatorëve të ruajtura mirë dhe me skenën, përbënin një sensacion sidomos kur u pasuan nga zbulimi i statujave, zotave të Butrintit dhe nga një kokë e Apollos. Ugolini punoi me pasion deri sa vdiq në vitin 1936 nga malaria. Më 1992, Butrinti u shpall sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s./Zoom.al