zoom

Të gjitha

Donaldi shprehu pëlqimin për Beatrix-in, por ende mban detajin që e lidh me Borën

Fansat e tyre u dashuruan për herë të dytë me ta dhe i bënë të ëndërronin për dashurinë e vërtetë. Është fjala për Bora Zemanin dhe Donald Veshajn, të cilët vetëm pak javë më parë emocionuan një publik të gjerë me takimin e tyre mjaft romantik.

Moderatorja e njohur hyri në shtëpinë e “Big Brother VIP” për të takuar miken e saj, Semi Jaupajn, por nuk ngurroi që të takonte edhe ish-të dashurin e saj, i cili kishte disa ditë që fliste për lidhjen e tyre të bukur të dashurisë.

Takimi i Borës me Donaldin, përqafimet dhe puthja e tyre brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri kanë nxitur reagime të shumta. Fansat e tyre u “çmenden” pas tyre e madje në “Instagram” nisën postimet me “mirëmëngjesi vetëm Bora dhe Donaldi”. Por kishte edhe nga ata që e shikonin me sy kritik këtë takim, pasi kishin shumë muaj të ndarë dhe si mund të pajtoheshin në pak minuta para gjithë publikut.

Por jo vetëm kaq, pasi gjatë një prime, Donaldi vendos që një varëse të tij t’ia dërgonte Borës, duke i kujtuar se ishte një datë e rëndësishme, përvjetori i tyre. Moderatorja e njohur pasi mori dhuratën e tij, e vendos varësen në qafë duke thënë se në një farë mënyre ishte me të.

Por para se të ndodhnin këto, askush nuk kishte vënë re një detaj te dora e aktorit të humorit, llastiku që e mban gjithmonë. Në fotografitë e Bora Zemanit duket se ajo mban një të ngjashëm, gjë që nxit spekulimet se Donaldi mban me vete llastikun e saj, si për ta patur gjithmonë me vete.

Edhe tani që e gjithë kjo histori ka marrë një tjetër rrjedhë, ku Veshaj shfaqet gjithmonë e më pranë Beatrix Ramosaj, ai ende e mban llastikun në dorë. Madje edhe gjatë spektaklit të mbrëmjes së djeshme, ku shprehu publikisht pëlqimin për këngëtaren e njohur, ai nuk e kishte hequr detajin që e lidh me Borën.

“Unë e di që Beatrix ka një siklet për këtë çështje, por sot dua të them që unë do bëj çfarë të dua, dhe ajo që dua është kjo”, tha aktori duke vulosur gjithë spekulimet mes banorëve dhe në publik.

Po publiku si është i ndarë? Ka disa fansa që vijojnë të mbështesin Donaldin pavarësisht gjithë situatës që ka krijuar së fundmi dhe besojnë se afrimiteti i tij me Beatrix është e vërtetë.

Nga ana tjetër, ka nga ata që i kanë dalë kundër pasi sipas tyre po luan me ndjenjat e vajzave. Sipas tyre, e gjithë kjo është një lojë.