zoom

Bota

Dokumente sekrete! Si ia doli Tony Blair të shmangte mijëra dollarë taksa

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair dhe bashkëshortja e tij kanë shmangur 312 mijë paundë taksa gjatë blerjes së disa zyrave në Londër.

Zbulimi bëhet në dokumentet e rrjedhura nga “Pandora Papers”, që po publikohen nga konsorciumi i gazetarëve investigativë ndërkombëtarë, ICIJ.

Dokumentet tregojnë se në një rast, Tony dhe Cheryl Blair kanë blerë pronën në qendër të Londrës përmes një kompanie të regjistruar në parajsa fiskale, duke iu shmangur mijëra dollarëve taksa që duhet të paguanin.

Nuk ka asnjë sugjerim në Pandora Papers që Tony dhe Cherie Blair po fshehin pasurinë e tyre. Por, dokumentet tregojnë pse taksa nuk ishte e pagueshme kur çifti bleu një pronë prej 6.45 milionë paundë.

Ish-kryeministri laburist dhe gruaja e tij avokate, Cherie blenë ndërtesën në Marylebone, Londrën qendrore në korrik 2017 duke blerë kompaninë e regjistruar në parajsa fiskale që e zotëronte atë pronë.

Është e ligjshme të blihen prona në Mbretërinë e Bashkuar në këtë mënyrë dhe taksa nuk duhet të paguhet, por problemi në rastin e Blair është moral, pasi ai njihet si kritik i vakuumeve ligjore që krijojnë mundësi për shmangie të taksave nga të pasurit.

Prona tani është zyra e konsulencës ligjore të zonjës Blair, e cila këshillon qeveritë në të gjithë botën, për një kohë përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Blair tha se shitësit kishin këmbëngulur që transaksioni të kryhej përmes kompanisë së regjistruar në offshore. Ajo tha se ata e kishin kthyer pronën sipas rregullave të Mbretërisë së Bashkuar dhe do të jenë të detyruar të paguajnë tatimin mbi fitimet kapitale nëse e shesin atë në të ardhmen.

Pronarët përfundimtarë, që përfituan nga shitja e pronës ishin një familje me lidhje politike në Bahrein.

Dokumentet nxjerrin gjithashtu lidhje mes Presidentit rus, Vladimir Putin me asete të fshehta në Monako dhe Kryeministrin çek, Andrej Babis që ka fshehur dhe nuk ka deklaruar blerjen e dy vilave në Francë me vlerë totale prej 15 milionë eurosh.

Kjo është rrjedhja e radhës e dokumentave sekrete brenda shtatë viteve të fundit, që kanë nisur me Paradise Papers, vazhduar me Panama Papers, LuxLeaks dhe FinCen. Por, për dalllim nga të parat, “Pandora Papers” mund të hapë “Kutinë e Pandorës”, pasi janë të parat të këtij lloji që përfshijnë drejtpërdrejt pasuritë e fshehura nga politikanët.

BBC thotë se ajo ka akses së bashku me The Guardian te 12 milionë dokumenta dhe dosje nga 14 shërbime financiare dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale, përfshirë Ishujt Virxhin, Panama, Belize, Qipro, Emiratet e Bashkuara Arabe, Singapori dhe Zvicra.

Deri më tani besohet se të paktën emrat e 35 udhëheqës aktualë dhe ish-udhëheqës, mbi 300 ish-zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme të botës përmenden në këto dokumenta, së bashku me llogaritë dhe pasuritë e fshehta që zotërojnë.

Postime të lidhura