Aplikacion
Tensione dhe protesta u regjistruan në Bashkinë Sarandë, ku rreth 30 pronarë të mjeteve ujore hynë në ambientet e institucionit, duke kaluar nga një zyrë në tjetrën në kërkim të zyrtarëve përgjegjës.
Të revoltuar për vonesat në zbatimin e vendimit për vendbazimet e mjeteve ujore, disa prej tyre shprehën hapur zemërimin me thirrje si: “Do t’i vëmë flakën, po na gënjejnë”.
Protestuesit kërkuan zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Sarandës, i cili më 1 qershor miratoi gjashtë vendbazime për mjetet ujore në Ksamil, pas negociatave me përfaqësuesit e sektorit.
Sipas tyre, edhe pse sezoni turistik ka hyrë në periudhën më intensive, në terren ende nuk janë vendosur tapat kufizuese dhe sinjalistika e nevojshme për funksionimin e vendbazimeve, duke penguar ushtrimin normal të aktivitetit ekonomik.
Pronarët e mjeteve ujore pretendojnë gjithashtu se ka tentativa për të mos zbatuar vendimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak, përmes propozimit të vendndodhjeve që ata i konsiderojnë të papërshtatshme për operimin e mjeteve.
Pas takimeve të zhvilluara në ambientet e bashkisë, protestuesit deklaruan se kanë marrë garanci se çështja do të shqyrtohet sot në terren. Megjithatë, paralajmëruan se nëse nuk ndërmerren masa konkrete për zbatimin e vendimit, protesta do të përshkallëzohet. Sipas tyre, do të bllokojnë hyrjet e Bashkisë Sarandë në shenjë kundërshtimi.