Aplikacion
Masat janë marrë pas publikimit në rrjetet sociale të videove nga Hatixhe, ku tregon se ecën tej normave, e po ashtu ku shfaqet duke i kërkuar bashkëshortit që të shtojë shpejtësinë. Policia ka gjobitur çiftin, duke i hequr gjithashtu patentat për 6 muaj ndërsa po ashtu është bërë dhe sekuestrimi i mjetit luksoz “Porsche”.
“Bazuar në disa video të shfaqura në rrjetet sociale ku shihet një automjet i cili nuk rregullon shpejtësinë e automjetit duke u bërë rrezik për vete dhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, me drejtues shtetasin J.S si dhe shtetasen H.B e cila drejton një automjet me fuqi motorrike më të madhe se ajo e lejuar sipas Kodit Rrugor, specialistët e Policisë Rrugore identifikuan dhe ndëshkuan me masë administrative këta dy shtetas si dhe bënë ndalimin administrativ të automjetit të shfaqur në video”, njofton policia.
Menjëherë pas kësaj, personazhi i rrjeteve sociale ka reaguar me disa foto të postuara në “Instagram”, ku shkruante: “Bravo policia për punën e lodhshme dhe të pandalur! Keni kapur kriminelen më të fortë sot për sot!”, teksa e shoqëronte me disa postime ironike si: “Jemi që jemi, po shkojmë për makinën e radhës! Apo ikim jetojmë në Dubai?”.
Por reagimet e saj nuk mbaruan këtu. Ajo vijon me ironitë ku shkruan: “Një rritje rrogash për policinë se kanë bërë alamet kapjeje 19-vjeçare”, teksa shprehet se “edhe në këto raste” e gjen kohën për të bërë vlog.
Mbrëmjen e 12 shtatorit, Hati bëri një tjetër postim, kësaj radhe në “TikTok”, ku tregon momentin e ndalimit nga policia dhe më pas shoqërimin për në komisariat. “Dikush nga ju më ka kallëzuar”, shprehet ajo në videon e saj.
Në fundin e postimit të saj, ajo “sulmon” policinë me ironi duke thënë: “Në fund të ditës e ‘hamë’ ne njerëzit e thjeshtë, ndërkohë këto kamikazët e rrugës nuk pësojnë asgjë”.