zoom

Aktualitet

Dita e dytë e aksionit, SPAK dhe Policia sekuestrojnë të tjera prona të Jamarbër Malltezit

Sot është dita e dytë që organet ligjzbatuese vijojnë procedurat e sekuestros preventive të pronave të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha. SPAK ka renditur të paktën 35 pasuri apo asete, që vijnë në formë aksionesh apo apartamentesh dhe biznesesh, teksa akuzohet për korrupsion në privatizimin e cilësuar si të paligjshëm të “Kompleksit Sportiv Partizani”.

Krimi Ekonomik i Policisë së Shtetit ka sekuestruar ditën e djeshme 2 apartamente dhe 2 bodrume në pronësi të Jamarbër Malltezit, i cili është arrestuar për aferën e privatizimit të Kompleksit ‘Partizani’.

Pronat e sekuestruara ndodhen në pallatin ku banon edhe Sali Berisha, në rrugën “Mustafa Matohiti”. Ndërsa ai u la në burg një ditë më parë, oficerët e Policisë Gjyqësore po vijojnë punën në terren për vënien e sekuestros preventive për të gjitha pasuritë e kërkuara nga SPAK.

Gjithashtu OPGJ ka mbërritur ditën e sotme në ambientet e ish-kompleksit Partizani, ose siç tashmë quhet “Kompleksi Magnet”.

Akuzat e ngritura:

 

-Sali Berisha- Korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i K.Penal

-Jamarbër Malltezi – Korrupsion pasiv ne bashkëpunim Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve ne bashkëpunim me Fatmir Bektashi neni 287 i K.Penal;

-Fatmir Bektashi- Korrupsion aktiv dhe pastrim produktesh të veprës penale ne bashkëpunim me Jamarbër Malltezi.

/ZOOM.AL/