zoom

Bota

Diplomatët e SHBA dhe BE do ‘zbresin’ në Prishtinë dhe Beograd! Përpjekje për zgjidhjen e ngërçeve

Fillimi i vitit pritet të jetë i ngarkuar për Prishtinën dhe Beogradin, pasi amerikanët dhe evropianët duan t’i japin peshë planit franko – gjerman për njohjen e Kosovës. Peshat më të rënda të diplomacisë perëndimore do të zbresin vetë në terren.

Janari pritet të jetë i ngarkuar për Prishtinën dhe Beogradin, ndërsa pesha të rënda të diplomacisë perëndimore do të zbresin në terren vetë për t’i dhënë zgjidhje njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë.

Amerikanët do të dërgojnë në Beograd një nga zyrtarët e tyre të lartë të Departamentit të Shtetit.

Javën tjetër pritet të mbërrijë në Serbi këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Cholet. Sipas medieve në Prishtinë ai ka në fokus të bisedimeve planin franko – gjerman për njohjen e Kosovës si edhe afrimin e Beogradit me politikat evropiane të sigurisë, për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ndërkohë, këshilltari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Jens Plettner dhe ai i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Emmanuel Beaune, do të qëndrojnë në Prishtinë në muajin janar.

Analistët e shohin këtë lëvizje të evropianëve, të koordinuar me amerikanët, për të rritur presionin dhe përshpejtuar procesin e njohjes së Kosovës, përmes planit të njohur si franko-gjerman.

Emisarëve të Gjermanisë dhe Francës, do t’u bashkohet edhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndërkaq, pas Kosovës, ata pritet të vizitojnë edhe Serbinë, pikërisht për zgjidhjen politike të problemeve mes dy vendeve dhe marrëveshjen finale.