zoom

Aktualitet

Dimri troket para kohe, temperatura deri në -7 gradë! Bora bllokon rrugë në veri, stuhi shiu në jug

Kukësi është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës, ndërkohë që janë shfaqur vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Raportohet se rruga Kukës-Peshkopi është bllokuar, pasi trashësia e dëborës arrin deri në 6 cm.

Sakaq, reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar shtresa akulli në rrugë, ndërsa lëvizja e automjeteve bëhet me zinxhirë dhe goma dimërore.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, masat ajrore të ftohta me origjinë polare do të sjellin për ditën e shtunë mot të vranët me reshje shiu e bore.

 

Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme me intensitet mesatar dhe lokalisht deri të lartë në formën e shtrëngatave, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

 

Në zonat malore, në verilindje në lartësinë mbi 200 metra dhe në pjesën tjetër të vendit në lartësinë mbi 700-800 metra, reshjet do të jenë në formën e dëborës. Në verilindje reshjet e borës parashikohen të jenë edhe në formën e stuhive të borës.

Por duke filluar nga orët e mbrëmjes së ditës së shtunë, presim një përmirësim gradual të kushteve meteorologjike, ku reshjet e shiut dhe të borës do të humbasin intensitet dhe territor.

Dita e diel parashikohet të ketë mot kryesisht të kthjellët, por të ftohtë.

Era do të jetë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, e cila hera-herës fiton shpejtësi deri në 16m/sek. /ZOOM.AL/