zoom

Aktualitet

Dialogu /BE paralajmërim të fortë Kosovës dhe Serbisë

Dështimi i palëve, Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet do të ketë pasoja, ka deklaruar të hënën zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ndërsa foli për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe nga institucionet e Kosovës javën e kaluar, ai tha se blloku vlerëson që këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, me potencial të rritjes së tensioneve.

“Ka çështje më të vjetra në tryezë që duhen shqyrtuar. Ne e konsiderojmë këtë shumë të padobishëm dhe hap tjetër të njëanshëm e të pakoordinuar që ka kapacitet të rrisë tensionet dhe të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm. Dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, ka thënë Stano në konferencën për media.

Ndonëse nuk dha ndonjë datë për takimin e radhës mes palëve në Bruksel, Stano ka thënë se një takim i tillë pritet të mbahet shumë shpejt.