Aplikacion
Në dëshminë para SPAK, Goro deklaron se ka vepruar për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes palëve. “Ndërhyra për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes palëve për pronat. S’kam bërë as shpërdorim detyre dhe as kam përfituar”, ka theksuar ai ndër të tjera, duke rrëzuar akuzën e tjetërsimit të mijëra metra katrorë trualli në bregdetin e lakmuar të jugut.
Ai shprehet se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.
“I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Jorgo Goro shpjegon ndër të tjera se: ..në lidhje me kërkesën me nr. 19555 datë 07.09.2016, nga zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, Drejtoria e Mbrojtës dhe Menaxhimit të Tokës ka kryer veprimet e saj për të cilat ai nuk është në dijeni, por thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Z. V. R.PP. Vlorë, pas përpilimit nga drejtoria përkatëse. Pra e gjitha procedura e ndjekur për rastin në fjalë është trajtuar nga drejtoria përkatëse e cila ka kryer verifikimet përkatëse, dhe nga Bashkia Himarë është kthyer përgjigje me shkresë nr.2751/1 datë 13.09.2016″, thuhet në dosje.
I pyetur se çfarë baze ligjore kishte shërbyer për të si kryetar bashkie, për të konturuar pasurinë me numër 36/35, deklaruesi është përgjigjur se ka ndërhyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shtetasve.
“Kjo kompetencë, sipas deklaruesit, parashikohet në ligjin e vetëqeverisjes vendore dhe konkretisht në nenin 29 pika 3 të ligjit me nr. 139 vitit 2015, i ndryshuar me ligjin nr. 38/2019, datë 20.06.2019, i cili parashikon se në fushën e sigurisë publike, bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e marrëdhënieve në komunitet, parandalimin dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve në komunitet. I pyetur në lidhje me shkresën nr. 2751/1datë 13.09.2016, nga Bashkia Himarë, drejtuar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë Vlorë, ku është shprehur se në Z.K. 1739-Gjilek nuk është kryer procesi i regjistrimit të parë fillestar sistematik (menaxhim) dhe se nuk disponojnë (bashkia) harta treguese të regjistrimit (H.T.R.), duke mos mundur në këtë mënyrë të shprehen për juridiksionin dhe vendosjen e pronave, ndërsa më poshtë është shprehur mendimi se ka mbivendosje dhe se pronat e Haris Runa dhe Krenar Adilit ndodhen në zonë e konturuar me nr. 36/35, shtetasi Jorgo Goro është pērgjigjur se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.
I pyetur nga është nisur për të dhënë një mendim për identifikimin me numër të pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adili, deklaruesi shprehet se kërkesa me nr. 19555 prot., datë 07.09.2016 e Z. R.P.P. Vlorë nuk parashikon dhënie mendimi për konturimin e pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adilit, pra ata si institucion kanë shkuar më tej në përgjigjen e tyre kur kanë dhënë mendim që pronat e këtyre shtetasve konturohen në pasurinë me nr 36/35”, thuhet në dosje.
Po sot, Gjykata e Posaçme dhe SPAK ranë dakord që konfirmimi i masës së sigurisë për kryebashkiakun në detyrë të Himarës të jepet nesër. Jorgo Goro u arrestua për korrupsion dhe shpërdorim detyre dy ditë më parë, teksa ndodhej në një lokal në Dhërmi. Konfirmohet se seanca do nisë nesër në orën 11:30. SPAK ka kërkuar konfirmimin e arrestit me burg për dy akuzat, kurse avokati do kërkojë zbutje të masës.
Goro humbi zgjedhjet e 14 majit 2023 me 19 vota ndaj rivalit Fredi Beleri, ky i arrestuar prej 12 majit të vitit të kaluar për korrupsion me votat dhe i dënuar së fundmi nga GJKKO me 2 vite burgim. Goro akuzohet për dhënie të paligjshme të tokave apo koncesioneve strategjike tek zyrtarë të tjerë dhe biznesmenë, e në këtë rast ish-deputetit Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-minsitres socialiste Olta Xhaçka. /ZOOM.AL/
“Ajo është e dehur”- Shpërthejnë komentet ndaj Harris në mesazhin e saj pas humbjes së zgjedhjeve