zoom

Politikë

Deputeti Sula: Mandatin e Berishës në konfliktin Parlament-SPAK ta sqarojë Kushtetuesja

Deputeti i PD Dashnor Sula, foli sot në “News24”, për situatën e krijuar në Kuvend, si dhe përplasjen e tij me Gardën.

Ai tha se e bëri reagimin vetëm për të treguar se nuk po u lejohej që të futeshin në sallë dhe të ushtronin të drejtën ne tyre.

“Atë veprim e kam bërë për tu treguar qytetarëve që këto nuk të lejojnë që të hysh në Kuvend dhe të përmbushësh detyrën. Dua ta dhunojnë, madje ta përdhunojnë opozitën”, tha ai.

Më tej Sula u shpreh kundër vendimit të miratuar për përjashtimin me dy muaj të deputetëve që thyejnë rregulloren, duke thënë se në këtë mënyrë u mohohet mandati.

“Nuk mund të ndërpresësh mandatin e deputetit për dy muaj. Rregullorja deri tani është bërë me konsensus, nuk bëhet kështu! Mirë mo le të na përjashtojnë. Do ta lenë vendin pa opozitë këta?

Në kërkesën për Komisione Hetimore, është hera e parë që opozita ka të drejtë 100%”, tha deputeti Sula. Ndërkohë ai u pyet edhe për kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për lejimin e arrestimit të Sali Berishës.

Ai tha se nga ana procedurale SPAK po vepron korrekt, dhe se do të votojë pro heqjes së imunitetit të ish-kryeministrit, por shtoi se këtë çështje do ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese, për të kuptuar nëse SPAK ka tejkaluar kompetencat apo jo.

Më tej tha se nëse Berishës i hiqet imuniteti dhe zbatohet masa ‘arrest shtëpie’, aksioni opozitar do të vijojë po njësoj.

Nga pikëpamja procedurale, SPAK tani po ndjek një rrugë ligjore. Unë do të votoj pro, për këdo qoftë… po mo do ta votoj. Besoj që të gjithë do ta votojmë, por unë mbaj përgjegjësi për veten. Është procedurë, të bëhet. Po ky është dallimi jonë nga socialistët se ata janë dele, që pranojnë përdhunim, ndërsa unë jam rebel në shpirt! Kam votuar për shumë gjëra, për kompleksin Partizani kam votuar kundër që atë herë. Kurse ata nuk na japin as të drejtën që na takon.

Po marrim rastin e Berishës, që është vetëm për një VKM, megjithatë unë nuk jam për shkelje ligjore, por të thuash sot që e ka fajin drejtori i bashkisë aty ose të thuash që kontrabandën e naftës e bën shoferi dhe jo pronari, kjo është e turpshme. Amerikanët dhe SPAK ta harrojnë nga i pari te i fundit që kanë për të shpëtuar”, tha ai.

“Përjashtuar dy rasteve të një ministri dhe një kryetar bashkie, në rastet e tjera për mua ka qenë në lartësinë e duhur dhe ka bërë detyrën. Është fat që kemi Altin Dumanin në krye, sepse ai nuk shantazhet. Por ka dhe të tjerë që hanë presion dhe bëjnë “deal”…”, shtoi ai më tej.

“Nëse Berishës i hiqet imuniteti? E thjeshtë! Do vazhdojmë përpara, nuk e bëj për Berishën, por për parlamentarizmin. Nuk ka të bëj fare. Pse unë do ta shpëtoj Berishën? Çfarë është për t’u bërë do të bëhet. Ne e bëjmë për parimin”, përfundoi Sula.