zoom

Aktualitet

“Dëmshpërblim qesharak”! Banorët e Fierit protestë për linjën 400 Kv Shqipëri-MQV: U matën gabim

Fermerët në Fier janë ngritur në protestë mëngjesin e sotëm duke kërkuar dëmshpërblim për sipërfaqen me ullinj që preket nga projekti për ndërtimin e linjës 400 Kv Shqipëri-Maqedoni e Veriut, të financuar nga banka gjermane për zhvillim KfW.

Ky projekt shtrihet në një sipërfaqe prej 400 mijë metër katror ku preken 21 fermerë 8 prej të cilëve tokat e tyre i kanë të kultivuara me ullinj 20- vjeçare.

“Po tallen me popullin, nuk kemi marrë kokërr leku. Janë mashtrues, do t’i bëjmë rrjetat copash”, dëgjohet një banore. Një tjetër protestues shprehet: “Largojini rrjetat, kur të marrim lekët vendosini. S’kemi marrë asnjë lekë, na jepni ata që na takojnë dhe vazhdoni punën”.

Sipas banorëve , dëmshpërblimi për rrënjë ulliri është qesharak ndërsa ka dhe matje të gabuara të sipërfaqeve të tyre. Këto toka janë ndarë me ligjin 7501 dhe pjesa më e madhe e banorëve zotërojnë aktin e marrjes në pronësi, por jo certifikatën e pronësisë , gjë që ka sjellë dhe pamundësinë e dëmshpërblimit.

Ndërkohë drejtori i projekteve të jashtme në OST, Dorjan Sejamini ka pohuar se bashkohet me shqetësimin e banorëve, teksa ka theksuar se janë takuar dhe sqaruar disa herë me banorët dhe ka premtuar ndihmesë edhe në etapat e aplikimit për plotësimin e dokumentacionit të saktë.

Sejamini pohoi gjithashtu se ky është një projekt strategjik që dyfishon kapacitetet energjetike dhe vonesat në zbatimin e tij sjellin kosto të shtuar. /ZOOM.AL/