zoom

Aktualitet

Denoncimi i banorëve të Mezhgoranit: Mero Baze po na vjedh ujin për resortin, Policia na kërcënon

Një pronar medie pas investimit që cilësohet abuziv dhe zaptimit të ujit. Banorët thonë se uji po u merret nga gazetari i qeverisë, Mero Baze për një resort pranë fshatit Peshtan.

Dhe banorët e fshatit Mezhgoran, në Bashkinë e Tepelenë, janë përplasur përsëri sot me Policinë e Shtetit, e cila shkoi në fshat së bashku me firmën që po punon për projektin e ujesjellësit.

Pas protestës së fundit, firma kishte ndaluar punimet, por sot me mjete të rënda dhe me një numër të lartë forcash policore ata tentuan të vazhdojnë punën, por janë ndaluar nga banorët, të cilët kundërshtojnë prej kohësh marrjen e ujit nga burimi i fshatit.

Me anë të avokatit është zbuluar se firma “2T shpk” nuk ka leje mjedisore për përdorim të baseneve ujore, përgjigjja zyrtare është dhënë nga vete Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.

Sipas banorëve, ata nuk do të lejojnë kurrsesi që firma në shkelje të plotë me ligjin, të vazhdojë punën. Banorët disa herë e kanë denoncuar rastin abuziv të ndërtimit pa leje dhe dëmtimit, duke u zaptuar edhe ujin, teksa në protestën e 10 tetorit përmendën edhe pronarin e medias së njohur online, se qëndronte pas investimit.

Letra për ministrin e Brendshëm dhe heshtja e autoriteteve

Më herët, më 3 nëntor, banorët i kanë drejtuar një letër publike edhe ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.

Banorët shprehen se një firmë fantazmë, e cila nuk zotëron asnjë dokument për këtë investim, po përpiqet t’i marrë ujin nga fshati, duke shtuar se për këtë kanë siguruar mbështetje nga policia dhe çdo ditë shkon në fshat e vendos tubat e ujit.

Ata kanë hedhur akuza se shefi i komisariatit të Tepelenës, Florian Rrasa, gënjeu banorët duke u thënë se dokumentat i ka në zyrë, si edhe po i kërcënon me burg. “Përse duhet të rrinë këto dokumenta në zyrën e tij, kur ne kemi tri javë që po i kërkojmë!?”, shprehen banorët. Në letër, shprehen se “nëse na marrin këtë ujë, ne do të largohemi të gjithë nga ky fshat, pa ujë këtu nuk ka jetë”.

Postimi i plotë:

“Letër drejtuar Ministrit të Brendshëm, Z. Taulant Balla

Nga banorët e fshatit Mezhgoran të Tepelenës.

ZOTIT TAULANT BALLA

Ne, banorët e fshatit Mezhgoran të rrethit të Tepelenës, kemi mbi një muaj që jemi ngritur në një protestë e cila ka si objektiv pengimin e marrjes së ujit të fshatit tonë nga një biznes privat. Firma është fantazmë sepse nuk zotëron asnjë dokument për këtë investim e për më keq, ajo kërkon mbështetje nga policia cdo ditë që shkon në fshat e vendos tubat e ujit.

Ne jemi të indinjuar për këtë projekt i cili e lë fshatin tonë pa ujë. I jemi drejtuar gjykatës, por, as firma e as bashkia nuk na japin dokumentat e duhura. Kjo gjë na ka indinjuar dhe ndaj protestojmë. Por policia e shtetit disa herë ka ushtruar dhunë ndaj nesh, për këtë ka edhe pamje filmike të cilat janë bërë edhe mediatike.

Banorët i kanë kërkuar policisë që firma duhet të paraqisë dokumentat përkatëse për të vijuar punën, ndërsa shefi i komisariatit të Tepelenës, Florian Rrasa, gënjeu banorët duke u thënë se dokumentat ai i ka në zyrë dhe për me keq na kërcënon me burg e me kod penal. Përse duhet të rrinë këto dokumenta në zyrën e tij, kur ne kemi tri javë që po i kërkojmë!?

Policia duhet të jetë me qytetarin e pambrojtur e jo me një firmë që si kucedër i është qepur ujit të fshatit tonë duke na e marrë atë. Pa këtë ujë, fshati ynë vdes. Ne do ta mbrojmë ketë ujë, por policia duhet të distancohet nga fijet e këtij bisnesi që janë vetëm për të vjedhur. Situata mund të përkeqësohet më tej. Uji është yni e do të mbetet te ne.

Nëse na marrin këtë ujë, ne do të largohemi të gjithë nga ky fshat. Pa ujë këtu nuk ka jetë.

Zoti Ministër, na ndihmoni! Shqipëria nuk duhet të boshatiset më tej!

Nga banorët e fshatit Mezhgoran Mezhgoran. 02.11.2023

Kryetari, Festim Cani”

/ZOOM.AL/