zoom

Politikë

Deklaratat e KE-së dhe Michelin, Rama: Më mirë në autobusin e BE-së se sa në avionin e Putin

Kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me deklaratën e zëdhënëses së KE, e cila, duke folur për zgjerimin e BE, theksoi se Komisioni nuk është i përqendruar tek afatet kohore, por tek ndihma e ofruar për vendet kandidate për të përparuar në procesin e zgjerimit.

Me anë të një postimi në Twitter, Rama tha se, “në statusin aktual të punëve të qëndrosh në autobusin e BE-së edhe pa ndenjëse është më e sigurtë se të ulesh në një aeroplan rus, sepse udhëtimi mund të jetë shumë i ngadaltë dhe destinacioni ynë shumë larg.”

Rama tha gjithashtu se “është e sigurt që autobuzi i BE-së nuk do të përplaset kurrë.”

Sot, Komisioni Europian kundërshtoi objektivin e Charles Michel për zgjerimin e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Dana Spinant, tha se Michel nuk ishte konsultuar me Presidenten e KE Ursula Von Der Leyen për përmbajtjen e fjalimit të tij që kishte të bënte me zgjerimin e BE-së.

“Ne nuk jemi të fokusuar tek data, por të fokusuar në punën e ngushtë me vendet kandidate që përgatiten për t’ju bashkuar BE-së”, tha zëdhënësja e KE.

Spinant këmbënguli se zgjerimi i BE është një proces i bazuar në merita dhe se vendet kandidate do të lejohen të anëtarësohen pasi të kenë përmbushur kërkesat e BE.