zoom

Aktualitet

“Çunat donin 100-200 kg kokainë nga Franca në Zvicër”/ Beqiraj nxjerr zbuluar linjën e transportit

“Çunat donin 100-200 kg kokainë nga Franca në Zvicër”/ Beqiraj nxjerr zbuluar linjën e transportit

Dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj duket se janë “zbrazur” para uniformave blu duke dhënë informacionet të reja të paditura në radhët e policisë për trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Protagonist i këtij trafiku, sipas vëllzërve Beqiraj, është Ilirjan Feçi. Në dëshminë që ka dhënë në polici, Indrit Beqiraj, thotë se ka qenë vetë ai që i ka thënë Feçit të mos marrë përsipër transportin e sasisë së drogës në Zvicër përmes Francës. Në bisedat e zhvilluara në një lokal në Durrës, Beqiraj thotë se kishte dyshime që plani do shkonte siç duhej dhe se do kishte viktima.

“Feçi më thoshte se kishte qenë në Francë dhe kishte gjetur linja shumë të fuqishme kokaine. Bashkë me Ilirin kemi takuar dy djem te lokal M. në Durrës, të panjohur për mua dhe vëllain tim, që ishin të interesuar për blerjen e drogës. Por kjo punë nuk u bë pasi unë i thashë që hapi sytë se mund të të vrasin me këtë lloj sasie, pasi bëhej fjalë për 100-200 kg kokainë, që do të transportohej çdo javë dhe do kalonte nga Franca dhe ata çunat e donin në Zvicër. Këta djemtë siç thashë nuk i njihja vetë, por nga biseda kuptova që ata ishin kushërinj të një mikut të ngushtë të Ilirjanit nga Fushë Kruja,”- ka dëshmuar Indrit Beqiraj.

Dëshmia e Beqirajt vjen pas arrestimit të 3 tetorit. Në fakt e gjitha i faturohet një rastësie, ku dy vëllezërit ishin nisur për atentat ndaj Landi Muharremit i njohur si “Rrumi”. Por në rrugë e sipër ata u përplasën me njerëzit e Rrumit, që morën peng për disa orë Indrit Beqirajn. Në dosje nuk thuhet shkaku i pengmarrjes dhe sherrit mes tyre, por përmes këtij rrëfimi nis gjithçka dhe vëllezërit vetëofrohen si të penduar duke zbërthyer të gjithë grupin kriminal ku ishin pjesë dhe nga i cili kishin marrë porosi për të paktën katër vrasje në Tiranë dhe Durrës. Pasi kanë parë Policinë, ata janë detyruar të lënë të lirë Beqirajn dhe më pas ky konflikt ka sjellë edhe rrëfimin e dy vëllezëve, 32 dhe 38 vjeç.