zoom

Bota

Ç’sanksione mund të vendosen ndaj Rusisë?

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë po përgatisin një paketë të madhe sanksionesh ekonomike që do të zbatohet kundër Rusisë, nëse kjo e fundit vendos të pushtojë Ukrainën.

Sipas asaj çfarë shkruhet në mediat e ndryshme ndërkombëtare këto ditë, sanksionet duhet të jenë më të ashpra se ato të aplikuara në vitin 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë, por ende po vazhdojnë diskutimet se kur duhet të zbatohen dhe cilët sektorë të ekonomisë ruse do të përfshihen.

Këto sanksione do të ishin hakmarrja e parë e Perëndimit kundër Rusisë në rast të një pushtimi, dhe e vetmja gjë që është e sigurt; si presidenti i SHBA-së Joe Biden, ashtu edhe shumica e liderëve kanë deklaruar se nëse Rusia hyn në Ukrainë, sanksionet do të jenë të rënda dhe të shpejta.

Pak a shumë, të gjitha vendet perëndimore po përgatisin masa më drastike, si dërgimi i armëve dhe automjeteve për ushtrinë ukrainase, ndërsa në lidhje me dërgimin e trupave ushtarake, ka shumë kujdes, por mbi të gjitha paqartësi.

Analistët amerikanë mendojnë se sanksionet e vendosura kundër Rusisë duhet të jenë shumë të rënda, sa të ndikojnë drejtpërdrejt, në jetën e popullsisë ruse.

“Si mund të ndryshohen llogaritë e Putinit? Duke krijuar shqetësime të brendshme dhe duke krijuar pakënaqësi ndaj qeverisjes në popullatë. Njerëzit duhet të jenë të pakënaqur me politikat e ndjekura nga Putin”, tha Edward Fishman, një nga ekspertët kryesorë rus në Departamentin e Shtetit në kohën e Barack Obama.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, vendet evropiane në veçanti janë të shqetësuara për pasojat që mund të kenë mbi to sanksione të tilla të ashpra. Ekonomia ruse është shumë e integruar me ekonominë botërore dhe shumë kompani perëndimore kanë interesa të gjera në vend, të cilat do rrezikonin të dëmtoheshin.

Për më tepër, e gjithë Evropa varet nga eksportet e gazit rus dhe goditja në sektorin e energjisë mund ta bëjë edhe më problematike furnizimin e hidrokarbureve.
Sanksionet e menduara nga vendet perëndimore ndryshojnë shumë në ashpërsi dhe ndikim, ato mund ta izolojnë ekonominë ruse nga pjesa tjetër e botës, e cila, do të kishte gjithashtu pasoja serioze për ekonominë e Shteteve të Bashkuara dhe veçanërisht Evropës.

Sipas Bloomberg, sanksionet përfundimtare mund të kërkojnë një rrugë të mesme, duke kufizuar mundësinë e shtetit rus për të financuar borxhin e tij në tregjet ndërkombëtare, por gjithashtu do të synohet të preken individë dhe subjekte ekonomike të lidhur me regjimin.

Ndër të tjera, sanksionet mund të ndalojnë disa banka ruse të kryejnë transaksione ndërkombëtare në dollarë, monedha më e njohur për transaksionet financiare, gjë që në fakt do ta bënte shumë të vështirë operimin jashtë vendit. Një grup bankash ruse, gjithashtu mund të përballen me kufizime në tregjet ndërkombëtare dhe asetet e tyre në vende të huaja mund të konfiskohen.

Goditja e bankave ruse mund të ketë një efekt serioz, pasi do të vështirësonte financimin e aktivitetit ekonomik dhe në fund mund të shkaktonte një ngadalësim ekonomik, me pasoja edhe për popullatën.
Sanksionet individuale mund të parashikohen kundër personave të lidhur me regjimin rus. AP, spekuloi se ato mund të synonin, për shembull, CEO të kompanive shtetërore të naftës dhe gazit, Rosneft dhe Gazprom.

Kufizimet në eksportet e mallrave dhe teknologjive strategjike janë gjithashtu të mundshme. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë edhe mundësi të tjera për të goditur ekonominë ruse, të cilat ndoshta nuk do të zbatohen, sepse do të kishin pasoja shumë të rënda. Për shembull, ato mund të përjashtojnë bankat ruse nga SWIFT, një sistem komunikimi mes bankave botërore, pa të cilin, në fakt, është praktikisht e pamundur të kryhen transaksione ndërkombëtare.

Në vitin 2014, ministri i atëhershëm rus i financave, Alexei Kudrin, vlerësoi se pa SWIFT, ekonomia ruse do të kishte rënë me 5% brenda një viti. Një lëvizje tjetër e mundshme është parandalimi i Rusisë për të kryer transaksione në dollarë, duke iu vendosur gjoba të gjitha subjekteve ndërkombëtare që tregtojnë në dollarë me Rusinë.

Edhe kjo do të konsiderohej një katastrofë për ekonominë, sepse do të kufizonte shumë kompanitë ruse për të blerë dhe shitur, pasi të gjitha kontratat e furnizimit me gaz dhe naftë, janë në dollarë. Masa të tilla kaq drastike ende nuk janë përjashtuar zyrtarisht gjatë negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, por gjithsesi ato mbeten të pamundura për t’u aplikuar, veçanërisht duke marrë parasysh pasojat e rënda që do shkaktoheshin në ekonominë botërore.