zoom

Ekonomi

Çmimet e naftës bien në të gjithë botën, përveç se në Shqipëri. Grosistët nuk njohin kurs këmbimi

Nafta në tregjet ndërkombëtare ka pësuar një tjetër rënie me nisjen e dhjetorit, duke iu afruar çmimit më të ulët për këtë vit. Sipas Reuters, nafta e papërpunuar Brent, po shitet me 78 dollarë/fuçi, duke rënë poshtë “normës” së 80 dollarëshit.

Sigurisht ky lajm vlen vetëm për tregjet e huaja dhe nuk prek aspak të shqiptar, të paktën kur ka rënie të çmimit. Momentalisht, në Shqipëri, kompani si Kastrati, Gega etj e tregtojnë një litër naftë me 199 lekë, duke e renditur atë si një ndër vendet me karburantin më të shtrenjtë në botë.

Sipas Global Petrol Prices, Shqipëria mban vendin e 9-të për këtë tregues, fill pas vendeve super të pasura, si Hong Kong, Zvicër, Luksemburg etj. Po ashtu, vendet e rajonit kanë një naftë nga 30-60 lekë më të lirë se vendi jonë.

Fakti që të gjithë grosistët e naftës në vend kanë një çmim të unifikuar ose pothuajse të njëjtë të karburantit, duket sikur fakton akuzën që është bërë me kohë: tregu i karburanteve në Shqipëri është një kartel!

Kur nisi lufta ruso-ukrainase, efektet u ndjenë më shpejt në Shqipëri se sa Ukrainë, ndër to shtrenjtimi i naftës. Edhe pse sipas ligjit, çdo kompani nafte duhet të mbajë rezerva 90 ditore, që supozohet të dalin në treg me çmimin e blerë dhe jo atë të bursës, kjo nuk ndodhi kurrë. Atëherë Autoriteti i Konkurrencës nisi një hetim për ta monitoruar por “nuk u gjetën shkelje”.

Përfaqësues të qeverisë, si deputeti Erion Braçe e quajti këtë treg një kartel, i cili vendos me marrëveshje çmimet.

Që pas shfuqizimit të Bordit të Transparencës në maj të këtij viti, nafta ka pësuar një rritje progresive. 176 lekë/litër në maj dhe 199 lekë/litër sot (5 dhjetor).

Grosistët e naftës në Shqipëri nuk njohin as kursin e këmbimit (Kastrati Group me tarifën e rrugës së Kombit). Në një vit, dollari, monedha me të cilën bëhen pazaret e naftës, është zhvlerësuar me 12% kundrejt lekut. Në gjuhë të thjeshtë, nafta në Shqipëri duhet të ishte të paktën 12% më e lirë në bursë. Pikërisht ky biznes, ka qenë i vetmi që nuk është ankuar në qeveri për forcimin e lekut./Zoom.al