Aplikacion
Tirana renditet e fundit (74) në Europë për kryeqytetet, sipas indeksit të Cilësisë së Jetës përpiluar nga Numbeo, duke lënë pas në listën totale me 75 qytete në Europë vetëm qytetin rus Novosibirsk. Kryeqyteti shqiptar ka marrë një vlerësim total 98.5 pikë (sa më i ulët aq më keq), duke hyrë tek qytetet ku cilësia e jetës është e ulët. Elementi më negativ që penalizon kryeqytetin shqiptar është ndotja, që konsiderohet si shumë e lartë, në vendin e dytë, duke lënë pas vetëm qytetin rus të Novosibirsk.
Çmimet e larta të pronave, në raport me të ardhurat janë një tjetër element që ul kryeqytetin në renditje. Tirana vlerësohet si e 13-a më e shtrenjta nga 72 qytete, në raportin e çmimit ndaj të ardhurave. I matur sipas fuqisë blerëse, një apartament në kryeqytet kushton më shumë se në Munih, Romë, Athinë, Londër, Vjenë, Berlin. Në Europë, qyteti më i shtrenjtë në raport me fuqinë blerëse është Milano, duke i zënë vendin Moskës, që ka kalua e treta.
I dyti më i shtrenjtë është Lisbona, i katërti Beogradi, të ndjekur nga Kievi dhe Parisi. Sipas indeksit, “Raporti i çmimit ndaj të ardhurave” është një masë themelore për përballueshmërinë e blerjes së apartamenteve, ku një raport më i ulët tregon përballueshmëri më të mirë. Zakonisht llogaritet si raporti i çmimeve mesatare të apartamenteve me të ardhurat mesatare të disponueshme të familjes, të shprehura si vite të të ardhurave.
Për Shqipërinë ky raport është 15.7, nga 20.3 që është për Milanon, më të shtrenjtin, apo 8.2 për Torinon ndër më të lirët dhe 5.5 për më të lirin, Glasgow në Mbretërinë e Bashkuar. Pra në Shqipëri duhet të punosh 15.7 vjet për të blerë një apartament, nga 14.3 që të duhet të punosh në Romë, apo 14.3 në Londër.
Kujdesi shëndetësor është një tjetër faktor negativ, duke e renditur kryeqytetin të fundit në Europë. Ky indeks llogarit ndër të tjera shpejtësinë e kryerjen e ekzaminimeve, pajisjet moderne për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve.
Edhe për trafikun, Tirana renditet ndër qytetet ku shpenzohet më shumë kohë në trafik, në vendin e 11. Rekordin e mbajnë Moska, Londra, Parisi, Bukureshti, Hungaria.
Për sigurinë, Tirana është në mes, në vendin e 47, ndërsa më të pasigurtat në Europë konsiderohen Parisi dhe Athina. Më të sigurtat janë Haga dhe Munihu.
Kryeqyteti shqiptar renditet më mirë në kostot e jetesës, me indeksin e fuqisë blerëse që nga vendos të dytin më të lirin pas Odesës së Ukrainës.
Indeksi i Cilësisë së Jetës nga Numbeo, është një “vlerësim i cilësisë së përgjithshme të jetës në një qytet apo vend”, shpjegon faqja e internetit në metodologjinë e saj. Indeksi shqyrton disa variabla, duke përfshirë “fuqinë blerëse, nivelet e ndotjes, përballueshmërinë e banesave, koston e jetesës, sigurinë, cilësinë e kujdesit shëndetësor, kohën e udhëtimit dhe kushtet klimatike”. Lista bazohet gjithashtu në përgjigjet e sondazhit, që kapin përvojat e botës reale të atyre, që jetojnë në çdo vend.
Në fund, e gjithë kjo përpilohet, secilit faktor i jepet një pikë e ponderuar dhe vendet me vlerë indeksi më të lartë, kanë një cilësi më të mirë jetese. Që nga rishikimi i mesit të vitit 2024, Haga (Den Haag), një qytet që ndodhet pranë Detit të Veriut në Holandë, është në krye të listës. Dhe është një pozicion, që mbahet për më shumë se një vit.
Në rajon, Novi Sad dhe Beogradi, qytetet serbe renditen ne vendin e 57 dhe 67 përkatësisht për cilësinë e jetesës, ndërsa Shkupi në vendin e 69.
Siç tregojnë gjetjet, Haga shënoi një rezultat të përgjithshëm 223.8, me notat më të larta në klimën, kujdesin shëndetësor dhe sigurinë. Është një vend ku të gjithë mund të gjejnë gëzimin e tyre, falë jo vetëm qendrës së tij të mrekullueshme historike, por siç vuri në dukje Qendra Ndërkombëtare e Hagës, është gjithashtu pranë hapësirave të gjelbra në natyrë dhe plazheve me rërë. Dhe, është afër aeroporteve të mëdha si Amsterdam Airport Schiphol (AMS), me shumë opsione për trenat ndërkombëtarë aty pranë si dhe shumë opsione të tranzitit publik lokal.
Sa i përket pjesës tjetër të listës, vendet e para u dominuan nga destinacionet europiane, me Luksemburgun në vendin e dytë, i ndjekur nga Eindhoven, Holandë; Roterdam, Holandë; Zyrih, Zvicër; Kopenhagen, Danimarkë; Vjenë, Austri; Helsinki, Finlandë; Gjenevë, Zvicër; dhe Frankfurt, Gjermani. Vendi i parë jashtë Bashkimit Europian shkoi në Perth, Australi, në vendin e 14-të.
Destinacioni i parë i SHBA-së, që hyn në listë është Austin, në vendin e 15-të. Seattle dhe Tampa gjithashtu shënuan pikë të larta, duke u renditur respektivisht në vendet e 20-ta dhe të 21-ta./Monitor
“Ku po shkon bebe”, pas largimit të Heidi Bacit nga Shqipëria, Romeo publikon këngën e re