zoom

Politikë

Çfarë la pas protesta te Bashkia, reagojnë ambasadat e SHBA, BE, Britanisë e OSBE: Dënojmë dhunën!

Këto janë pamjet pas protestës para Bashkisë së Tiranës sot, ku aleanca qytetare dhe opozita kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj, pas skandalit me dosjen “5D”.

Mure të karbonizuara nga flakët, gjurmë flakadanësh e molotovi, zarzavate dhe një kaos total.

Punonjësit dhe policia që përpiqen të largojnë rrëmujën dhe kthejnë normalitetin me pastrimin e territorit përreth. Gjithashtu edhe me pastrimin e mureve nga boja e zezë që hodhën protestuesit.

Por pati edhe reagime diplomatike të selive të huaja.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar e para ashpër për protestën që mbajti sot opozita para Bashkisë së Tiranës. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ambasada thekson se dënon përplasjet, ndërsa shton se në demokraci nuk ka vend dhuna.

Reagimi i Ambasadës së SHBA-ve:

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”.

Pas ambasadës amerikane, për protestën e opozitës përpara Bashkisë së Tiranës ka reaguar edhe delegacioni i BE-së.

Delegacioni i Bashkimit Europian ka dënuar dhunën në këtë protestë. BE shprehet se akte të tilla dhune nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete ndezëse të improvizuara në godinën e bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagim.

Edhe Ambasada Britanike ka reaguar pas protestës së sotme të Rithemelimit përpara Bashkisë së Tiranës. Ambasada e Britanisë së Madhe shprehet se skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejleve Molotov nuk kanë vend në demokraci.

“Ambasada britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit’, thuhet në reagim.

Reagimi i ambadës britanike:

“1/2 Skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci. Ambasada britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit.

2/2 Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit”.

Reagon edhe Prezenca e OSBE:

Pas ambasadës amerikane dhe asaj britanike në Tiranë, ka reaguar edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Në reagimin e Prezencës së OSBE në vendin tonë thuhet se protesta paqësore është një akt demokratik, por dhuna jo.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës. Protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo”, thuhet në reagim. /ZOOM.AL/