Aplikacion
Ka lloje të ndryshme mjalti dhe shija, ngjyra apo përmbajtja e lëndëve ushqyese varet nga vendi ku bletët e kanë mbledhur atë. Gjithashtu në cilësinë e tij ndikojnë edhe llojet e luleve.
AgroWeb.org në këtë artikull ju njeh me mjaltin e bardhë dhe përfitimet e tij në organizëm.
Mjalti i bardhë është një lloj shumë i rrallë mjalti.
Në përgjithësi ai ka një shije më të butë në krahasim me mjaltin e errët.
Lulet që e bëjnë këtë mjaltë janë: sherebela, jonxha, tërfili i bardhë dhe bari i zjarrit.
Ngjyra e tij qelibare është shumë e lehtë ose ai mund të ketë edhe një ngjyrë pothuajse të qartë e të bardhë si uji.
Ekziston gjithashtu një formë e rrallë mjaltit të bardhë, i cili vjen nga pemët kiawe në Hawaii.
Ai mblidhet si lëng dhe kristalizohet natyrshëm. Struktura e tij përhapet lehtë si gjalpi dhe shitet i papërpunuar.
Mjalti i papërpunuar mund të përkufizohet si mjalti që vjen direkt nga kosherja, që paketohet dhe konsumohet pa shtuar nxehtësi.
Prodhuesit e përpunojnë shumicën e mjaltit që gjeni në dyqanet ushqimore.
Ngrohja e mjaltit ndihmon në përmirësimin e ngjyrës dhe strukturës dhe largon çdo kristalizim të padëshiruar.
Por shumë nga antioksidantët dhe bakteret e dobishme shkatërrohen gjatë procesit.
Këtu janë disa nga përfitimet shëndetësore që ofron mjalti i bardhë i papërpunuar.
Mjalti i papërpunuar përmban antioksidantë të quajtur flavonoidë dhe komponime fenolike.
Antioksidantët ndihmojnë në mbrojtjen e trupit tuaj nga dëmtimi i qelizave për shkak të radikaleve të lira.
Radikalet e lira kontribuojnë në procesin e plakjes dhe gjithashtu mund të shtojnë rrezikun tuaj për sëmundje si kanceri dhe sëmundjet e zemrës.
Mjalti mund të përdoret si frenues i kollës por edhe si një ilaç për dhimbjen e fytit.
Herën tjetër që do të keni kollë ose ftohje, provoni t’i shtoni mjaltë çajit të nxehtë me limon.
Ju gjithashtu mund të konsumoni 1 ose 2 lugë çaji mjaltë të papërpunuar.
Fitonutrientët janë komponime që gjenden tek bimët dhe që i mbrojnë ato nga insektet, sëmundjet dhe nga rrezatimi i ashpër UV.
Këto komponime kanë veti antioksiduese dhe anti-inflamatore dhe mund të kenë një efekt pozitiv në shëndetin tuaj.
Mjalti përbëhet nga bimët dhe përmban shumë fitonutrientë. Këto lëndë ushqyese janë unike por ato shkatërrohen kur mjalti përpunohet shumë.
Mjalti është përdorur gjatë historisë si një mënyrë për të shëruar plagët e lëkurës.
Sot e gjeni edhe si përbërës në produktet e bukurisë.
Studimi tregon se mjalti i papërpunuar mund të vrasë bakteret dhe kërpudhat e dëmshme.
Historikisht, mjalti është përdorur për të trajtuar problemet me tretjen.
Marrja e 1 deri në 2 lugë çaji mjaltë me stomak bosh thuhet se qetëson dhimbjen dhe ndihmon në procesin e shërimit./AgroWeb.org