zoom

Të gjitha

5 yjet që do të bëjnë histori në ndarjen e çmimeve “Grammy”

Pas një vonese prej më shumë se dy muajsh të shkaktuar nga pandemia, çmimet “Grammy” rikthehen të dielën. Për herë të parë, ceremonia e 64-të vjetore do të mbahet në Las Vegas – larg shtëpisë së tij tradicionale në Los Angeles. E organizuar nga Trevor Noah kjo ceremoni sjell edhe ndryshime votimi dhe dy kategori të reja.

Dhe disa artistë nga klasa e të nominuarve të këtij viti  nga muzika hip hop tek xhazi e deri tek muzika pop  ka disa artistë që mund të thyejnë rekorde.

Kanye West

Kanye West – i cili tani njihet me emrin e ri Ye – mund të jetë i padëshiruar këtë vit si interpretues i mbrëmjes “Grammy Awards”, por ai do të zërë një vend në histori nëse tejkalon 23 fitoret e reperit Jay-Z,  i cili ka më së shumti trofe si një artist i zhanrit hip hop. Ye ka 22 çmime “Grammy” dhe është nominuar për pesë të tjera, duke përfshirë një nga çmimet kryesore, ‘Albumi i vitit’ për albumin e tij “Donda”.

BTS

Grupi i djemve BTS bëri histori vitin e kaluar si yjet e parë koreanë të muzikës pop që fituan një nominim për “Grammy” në kategorinë “Performanca më e mirë e një duo/grupi të zhanrit pop”. Nëse albumi i tyre “Butter” fiton në atë kategori këtë vit, ata do të jenë grupi i parë i zhanrit K-pop që fitojnë një “Grammy”.

BTS kanë bërë tashmë histori si artistët e parë koreanë që u ngjitën në skenën e “Grammy Awards” në vitin 2019, kur dhanë çmimin për ‘albumin më të mirë të zhanrit R&B’.

Olivia Rodrigo

Olivia Rodrigo është nominuar për shtatë çmime për albumin e saj debutues, “Sour”, duke përfshirë kategoritë e rëndësishme si: “Artistja e re më e mirë”, “Albumi i vitit”, “Kënga më e mirë e vitit” dhe “Incizimi muzikor më i mirë i vitit” – dy të fundit për baladën e saj mbresëlënëse “drivers license”.

Nëse ajo i merr të gjitha ato çmime, Rodrigo, 19 vjeçe, mund të bëhet artistja e dytë më e re që do të shpërblehet në katër kategoritë kryesore të “Grammy Awards”. Në vitin 2020, Billie Eilish u bë interpretuesja më e re solo që fitoi katër çmimet më të mëdha në “Grammy Awards”. Ajo ishte 18 vjeçe. Për t’u përputhur me arritjen e saj, Rodrigos do t’i duhet gjithashtu të bëjë më të mirën se Eilish. Ndërkohë, Billie është e nominuar gjithashtu në tri kategoritë kryesore.

Tony Bennett

Tony Bennett fitoi për herë të parë çmimin ‘Albumi i vitit’ për “I Left My Heart In San Francisco” në ceremoninë e pestë vjetore të “Grammy Awards”. Kjo ishte në vitin 1963, dhe ai është ende duke marrë një “Grammy” disa dekada më vonë.

Bennett ka pesë nominime këtë vit për bashkëpunimin e tij me Lady Gaga, duke përfshirë kategoritë kryesore “Albumi i vitit” dhe “Incizimi muzikor i vitit”. Dyshja janë nominuar për ‘cover’-in e tyre të Cole Porter me titull “I Get a Kick Out of You”, një këngë e shkruar rreth 88 vjet më parë.

Në moshën 95-vjeçare, Bennett është personi më i vjetër që ka nxjerrë ndonjëherë një album me materiale të reja – me disa nga sukseset e tij më të mëdha që kanë ndodhur në dekadën e fundit.

Jon Batiste

Këngëtari Jon Batiste kryeson listën e të gjithë artistëve të nominuar këtë vit me 11 nominime për “Grammy” në zhanre të ndryshme, duke përfshirë kategoritë kryesore: “Incizimi muzikor i vitit”, “Albumi i vitit” si dhe çmimet “Interpretimi më i mirë solo i zhanrit jazz” dhe “Albumi më i mirë i zhanrit R&B”.

Nëse Batiste merr në shtëpi të paktën nëntë çmime të dielën, ai do të shënojë një tjetër moment historik: duke anashkaluar Michael Jackson dhe Santana si artistët që kanë fituar më së shumti çmime “Grammy” në një vit. Të dy morën nga tetë “Grammy” secili, në vitin 1984 dhe 2000./L.K

/Zoom.al