Aplikacion
Ky është rrëfimi i një të riu të punësuar në një nga “call centerat” e bursave që kanë mbirë kudo nëpër Shqipëri dhe po mashtrojnë miliona qytetarë nëpër Europë, të pasur e të varfër, familje të thjeshta e kryesisht pensionistë. U premtojnë se, duke investuar qoftë edhe 50 euro në aksionet e disa kompanive që ekzistojnë vetëm në faqe interneti false, do të marrin disa herë më shumë.
Kështu në fakt funksionojnë bursat reale, ku çdokush mund të investojë një shumë të caktuar duke blerë aksione. Nëse kompania ka sukses, aksionet rritën, paratë shumëfishohen.
Por “bursat” në Shqipëri janë disa celula kriminale e jo kompani që sheshin e blejnë aksione reale. Ata janë ngritur nga kriminelë apo grupe kriminale, që me paratë që u marrin përmes mashtrimit familjeve të thjeshta në Europë, synojnë të bëjnë jetë luksi, duke u hequr si biznesmenë realë, sikur kanë krijuar kompani të mirëfillta biznesi.
Në fakt ata kanë krijuar disa laboratorë që, jo vetëm po vjedhin europianët, por po helmojnë të rinjtë shqiptarë që punojnë aty.
Është e vështirë ta besosh dëshminë e të riut “të penduar” që foli në fillim të nëntorit në një media në Tiranë, e që Zoom.al e citoi në fillim të këtij shkrimi, kur thotë se nuk e dinte ku po punonte. Publikimi i citimit të tij të shkurtër shërben vetëm si një provë më shumë për këtë megaskemë mashtrimi. Shumica e të punësuarve aty e dinë se çfarë bëjnë. Ata e dinë që po i rrjepin disa familje, e madje i gëzohen përditë vjedhjes, pasi kështu shtojnë paratë në xhepat e tyre, sepse përveç rrogës, secili merr edhe bonus mbi mashtrimin që ka realizuar.
Ky kriminalizim i kësaj shtrese vitale, është helmim i të gjithë shoqërisë. Ata që po punojnë në këto celula kriminale, -një pjesë e madhe studentë,- nga mashtrues me pagëse sot, do të jenë nëser nëpunës civilë, mësues, mjekë, avokatë, prokurorë, gjyqtarë etj.
Një pjesë e tyre nuk do mund të gjejnë kurrë një punë tjetër nëse nuk do të mësojnë një profesion.
E një pjesë do të përfundojë në burg. 35 persona u kapën vetëm dje e 20 u proceduan penalisht, si pjesë e një skeme të ngritur nga një shtetas izraelit.
Autorët dhe përfituesit e kësaj skeme po helmojnë po ashtu edhe ekonominë dhe po dëmtojnë konkurrencën. Është njësoj si paratë e drogës. Të gjitha shumat e fituara nga mashtrimet janë para të pista e do të duhet të investohen për t’u pastruar.
Shqipëria, sipas raportit të Money Val, është shndërruar në një lavatriçe për pastrimin e parave që burojnë nga aktivitete kriminale. Ndërtimi dhe Shërbimet janë sektorët ku këto para po investohen më së shumti.
Autoritetet shqiptare vënë në lëvizje këto kohë pas disa letër – porosive të ardhura nga Gjermania e Italia dhe me largimin e Ardi Veliut nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm. Në kohën e tij ku aktivitet arriti kulmin.
Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare i ka sinjalizuar vazhdimisht policinë dhe prokurorinë për këtë aktivitet.
Policia thotë se ka vështirësi, pasi celulat mashtruese ndryshojnë IP-të, apo adresat e kompjuterave që përdorin, për ta bërë të vështirë lokalizimin.
Por nëse teknologjia nuk funksionon, për çfarë i paguan policia mijëra agjentë kriminale? Vetëm përmes informacioneve të mbledhura prej tyre, një pjesë e madhe e këtyre grupeve do të ishte goditur në kohë, pa bërë dot dëme të mëdha në Europë e një vendin tonë.
Për me tepër, që në lagjet ku janë ngritur këto “call centerat”, të gjithë janë në dijeni të aktivitetit të tyre kriminal, përveç policisë, çka i shton dyshimet për implikimin e disa drejtuesve në radhët e saj. /Zoom.al