zoom

Aktualitet

Burgim përjetë për vrasësin e Marigona Osmani, mamaja e të ndjerës: Ishalla kurrë dritë nuk sheh!

Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë.

Dy të akuzuarit, Krivaça dhe Sejdiu, megjithatë u liruan nga akuza e dhunimit, përkatësisht ndihmës në kryerjen e dhunimit, pasi sipas Gjykatës nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të vërtetuar një gjë të tillë.

Gjyqtari i rastit tha se për dënimin e Krivaçës është marrë parasysh edhe mosha shumë e re e Marigona Osmanit, e cila sapo kishte mbushur 18 vjeç.

Mediat e Kosovës shkruajnë se në momentin kur gjykatësi shpalli vendimin për Krivaçën, familjarët e Osmanit mirëpriten vendimin me duartrokitje ndërsa deklaruan “Bravo për këtë qen, i mjerë”.

Nëna e Marigona Osmanit po ashtu duke dalë nga seanca, iu drejtua Krivaçës duke i thënë “Ishalla kurrë dritë nuk sheh, ma ke mbytë vajzën 18 vjeç”.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaça dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaça dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.