zoom

Ekonomi

Borxhi publik në stratosferë/ Qeveria merr si konsulente kompaninë e familjes “Rothschild”

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpallur fituesin e thirrjes për konsulent financiar të borxhit publik të vendit. “Rothschild & Co” do të jetë institucioni që do të kryejë këtë funksion, duke ofruar konsulencë financiare për menaxhimin e borxhit shtetëror. Trajektorja rritëse e borxhit publik të Shqipërisë, që pritet të “kapërcejë” nivelin e 80% të PBB-së që këtë vit, si dhe nevoja për huamarrje shtesë në tregjet ndërkombëtare, po brenda këtij viti, kanë detyruar qeverinë shqiptare t`i japë më shumë prioritet një problematike të tillë.

Ministria e Financave kërkon kështu një këshillues financiar për menaxhimin e borxhit. “Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e tregjeve financiare për shkak të faktorëve të brendshëm  dhe  të  jashtëm, Ministria e  Financave dhe Ekonomisë synon të marrë shërbim këshillimor financiar në lidhje me menaxhimin e borxhit publik, në mënyrë që të sigurojë fondet e nevojshme të huamarrjes, vlerësimin e rrezikut dhe kostos së tij, afatmesëm dhe afatgjatë, si dhe zhvillimin e tregut të letrave me vlerë të qeverisë, duke rritur instrumentet e tij dhe zgjeruar bazën e investitorëve. Vlera e fondit limit është 81 768 000.00 lekë, pa TVSH-nënvizon Ministria e Financave dhe Ekonomisë në document”-thuhej në ftesën për propozime të Ministrisë disa muaj më parë.

Detyrat e këshilluesit financiar për menaxhimin e borxhit publik të vendit do të jenë disa, por bien në sy pika 1 dhe pika 6. Pika 1, veç të tjerash thekson se, këshilluesi financiar do të ketë për detyrim të ndihmojë qeverinë shqiptare në diversifikimin e instrumentave të huamarrjes, në valuta të ndryshme, çka sinjalizon se qeveria shqiptare kërkon financim të jashtëm jashtë euros, duke përfshirë edhe tregje të paprekura më parë. Pika 6 ndërkohë i referohet eurobondit, ku Ministria e Financave dhe Ekonomisë thekson se: “Në varësi të kushteve të tregut, identifikon, strukturon dhe zbaton zgjidhje alternative të financimit, nëse tregu i eurobonove nuk i përshtatet nevojave të financimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”.

Pavarësisht se, qeveria shqiptare synon emetimin e eurobondit prej 500 milionë eurosh këtë vit, një mospërmbushje e objektivave, si normë e lartë interesi, apo mosplotësim i nevojës për financim, mund të detyrojnë autoritetet të kërkojnë mënyra alternative, me ndihmën e këshilluesit financiar të borxhit.

“Rothschild and Co” është një bankë investimesh shumëkombëshe dhe kompani financiare, njësia kryesore e Rothchild Group, e cila kontrollet nga dega britanike dhe franceze e familjes Rothschild. /Scan